Fakulteti i Shkencave Teknike (FSHT) në Mitrovicëne Veriut – i cili vepron brenda sistemit arsimor të Republikës së Serbisë dhe është pjesë e Universitetit të Prishtinës, me seli të përkohshme në Mitrovicën Veriore – mori një letër nga Universiteti i Prishtinës në Kosovë tri ditë më parë.
Në letër thuhet se Fakulteti është “aktualisht një përdorues i paligjshëm i një parcele toke në pronësi të Universitetit të Prishtinës në Republikën e Kosovës”. Në letër kërkohet “lirimi i pasurisë së paluajtshme të uzurpuar” dhe kërkohet që FSHT të largohet brenda 30 ditësh ose të fillojë procesin e rregullimit të marrëdhënieve me Universitetin e Prishtinës.
Kjo ngjarje e tërhoqi vëmendjen ndaj çështjes që ka qenë një nga shqetësimet më të mëdha të serbëve të Kosovës në muajt e fundit – integrima e arsimit dhe shëndetësisë në sistemin e Kosovës, dy fushat e vetme të mbetura që funksionojnë brenda sistemit të Republikës së Serbisënë Kosovë.
Shumë të përgatitur, pak të befasuar
Ky zhvillim në lidhje me strukturat paralele të mbetura në Kosovë, me sa duket, nuk i habiti as analistët dhe as serbët atje. Për muaj të tërë, punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe të arsimit kanë paraqitur me shpejtësi kërkesa për verifikimin e diplomave serbe në sistemin e Kosovës, në mënyrë që të jenë të gatshëm për lajmin e integrimit të shpallur nga autoritetet e Prishtinës.
Kjo, siç shpjegon avokati Dragutin Neneziq për DW, është “një pjesë integrale e procesit që pritej”.
“Por, filloi papritur me çështjen e pronësisë, jo me Ligjin për të Huajt që hyn në fuqi më 15 mars dhe përcakton se kushdo që nuk ka dokumente të Kosovës do të detyrohet të regjistrojë qëndrimin e tij në Kosovë”, thotë ai.
Megjithatë, “ajo që është shqetësuese është shpejtësia dhe sinkronizimi i lëvizjeve”, thotë Branka Petkoviq, profesoreshë në Fakultetin e Shkencës dhe Matematikës të Universitetit të Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicën e Veriut. Ajo thekson se ekziston përshtypja se “proceset janë përgatitur një kohë të gjatë, me heshtje ose me përgjigje joadekuate nga institucionet dhe autoritetet kompetente të Serbisë” dhe se situata ndërlikohet më tej nga fakti se komuniteti akademik dhe qytetarët nuk kanë informacion të qartë në lidhje me planet dhe strategjinë për “ruajtjen e institucionit të fundit me rëndësi jetike që mbetet për komunitetin serb dhe komunitetin jo-shqiptar – arsimin dhe kujdesin shëndetësor”.
“Stafi i mësimdhënësve dhe studentët janë seriozisht të shqetësuar”, thekson profesori Petkoviq.
Kjo konfirmohet edhe në një deklaratë për DW nga një student i këtij universiteti, i cili dëshironte të mbetej anonim. Ai thekson se, siç pritej, studentët janë “të dekurajuar e të demoralizuar”. Askush nuk i pyet dhe as nga administrata e fakultetit nuk i informoi”, gjë që, “i acaron më tej”, thotë ai.
“Askush nuk e di me siguri se si do të zhvillohet situata, por kurrë më parë nuk është folur kaq shumë për largimin”, thekson ai.
A janë javët e ardhshme vendimtare?
Dragisha Mijaçiq, koordinator i Grupit të Punës për Kapitullin 35 të Konventës Kombëtare për Bashkimin Evropian, e sheh letrën dërguar FSHT-së si “një formë tjetër të presionit të vazhdueshëm mbi institucionet arsimore të Republikës së Serbisë”, por gjithashtu e thekson problemin e moszgjidhjes së çështjes së pronës publike në Kosovë.
“Kjo është një temë që Qeveria serbe dhe Qeveria e Kosovës e kanë shmangur për vite me radhë. Tani kjo formë inercie po vjen dhe e njëjta gjë mund të ndodhë edhe me objekte të tjera publike, si spitali në Mitrovicën Veriore, shkollat fillore e të mesme, të gjitha objektet e tjera publike”, thekson Mijaçiq.
Letra iu dërgua FSHT-së në të njëjtën ditë që Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi deklaroi se javët e ardhshme janë vendimtare për shëndetësinë dhe arsimin. Ai gjithashtu u dërgoi kryetarëve të komunave me shumicë serbe ftesë për një takim për diskutime për temën e përfshirjes së këtyre institucioneve në sistemin e Kosovës.
Në takimin me ministrin e Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, në Prishtinë morën pjesë kryetarët e komunave veriore. Por tema, siç theksoi kryetari i komunës së Mitrovicës Veriore, Milan Radojeviq, nuk ishte integrimi i shëndetësisë dhe arsimit.
“Kjo çështje nuk është për ne, është një çështje që duhet të zgjidhet në Bruksel, midis negociatorëve zyrtarë të Beogradit dhe Prishtinës. Ne si kryetarë të komunave besojmë se kjo nuk është një temë që duhet të trajtohet nga kryetarët e komunave, por ekskluzivisht temë për negociata”, tha Radojeviq.
Ai theksoi se tema e takimit lidhej ekskluzivisht me problemet në komunat me shumicë serbe dhe shprehu shpresën se “si Ministria ashtu edhe Qeveria do t’i dëgjojnë problemet me të cilat përballemi në komunat tona”.
Jashtë radarit të Beogradit dhe të Prishtinës
Edhepse lajmi mbi kërkesën për zhvendosjen e njërit prej fakulteteve serbe është pothuajse fillimi zyrtar i “zhvendosjes së topit” në lidhje me integrimin e arsimit në institucionet e Kosovës, nga Beogradi ka pasur reagime të vakëta, pothuajse inekzistente.
I vetmi që ka folur është drejtori i Zyrës për Kosovën, Petar Petkoviq, i cili i tha zëvendësdrejtorit të Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm për Evropën Perëndimore, Emmanuel Gioffre: “Beogradi dhe serbët nga Kosova e Metohia presin që Bashkimi Evropian dhe të gjithë aktorët e tjerë përkatës t’i marrin me seriozitetin më të madh lëvizjet dhe njoftimet e tilla nga Prishtina, të cilat çojnë në pastrimin e drejtpërdrejtë etnik të popullit tonë nga kjo zonë”.
Bashkëbiseduesit e DW nuk janë të befasuar nga reagimet e tilla.
“Para së gjithash, heshtja e Presidentit Vuçiq, i cili është krijuesi dhe bartësi kryesor i politikës së Serbisë ndaj Kosovës, është domethënëse. Edhepse ai dëshiron t’i shmanget temës së Kosovës, përgjegjësia më e madhe dhe pritjet më të mëdha sigurisht që i takojnë atij”, thekson Dragisha Mijaçiq.
Edhe pse nuk bëri asnjë njoftim ditën e dorëzimit të letrës, Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës – e mbajti dje një takim me përfaqësuesit e institucioneve shëndetësore dhe arsimore, pikërisht në ambientet e FSHT. Në deklaratën që u miratua aty, ata kërkuan lehtësime ligjore dhe administrative për qytetarët, mbrojtje të institucioneve arsimore dhe shëndetësore, si dhe angazhim më të fortë të bashkësisë ndërkombëtare.
Nga ana tjetër, duket se ky lajm ka kaluar pa u vënë re edhe më shumë midis politikanëve të Kosovës. Të preokupuar me konstituimin e Parlamentit dhe të Qeverisë, pas bllokadës politike që zgjati disa muaj, reagimet nga Prishtina ishin pothuajse inekzistente.
Megjithatë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi për “integrimin gradual të sistemit shëndetësor dhe arsimor” në mesin e janarit, me mesazhin se ky proces do të zhvillohej në koordinim me Bashkimin Evropian dhe me respekt për pikëpamjet e komunitetit serb.
“Ky është vetëm një tregues se e gjithë kjo është zbatim i asaj për të cilën është rënë dakord disa vite më parë. Ky nivel heshtjeje tregon vetëm se gjithçka është bërë qëllimisht”, përfundon avokati Dragutin Neneziq.