A ZBULOJNË VËRTET FIRMAT ASPEKTE TË NATYRËS SONË NJERËZORE?

Nga Ruben Avxhiu

 

Këtu poshtë janë firmat e presidentëve amerikane, nga George Washington dhe John Adams e deri te Donald Trump dhe Joe Biden. Firmat e Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë. Deklarata e Pavarësisë së Kosovës dhe disa firma drejtuesish ekzekutivë të fuqishëm (CEO) si Mark Zuckenberg, Warren Buffett etj.

Ka një tufë studimesh që pretendojnë të zbulojnë personalitetin e njeriut në bazë të firmës. Kam lexuar një artikull që trajtonte këtë temë pak ditë më parë nga “Harvard Business Review”, por nuk merrej me politkanët por me drejtuesit ekzekutivë (CEO) të firmave titane të industrive. https://hbr.org/2013/05/size-does-matter-in-signatures

Jam i sigurtë që ka studime edhe për presidentët e politikanë në përgjithësi, madje edhe për njerëz të zakonshëm për të gjetur përgjigje nga shkrimi i tyre, madje edhe vetëm nga firma, që në fund të fundit është një “kampion” tepër i vogël për të qenë përfaqësues. Megjithatë, duke qenë se është diçka që shkruhet shpesh dhe që nganjëherë e bën autorin të mendojë, mund edhe të nxirren konkluzione.

Nuk u besoj shumë këtyre lloj studimesh se më duket që më shumë se shkencës u shërbejnë kuriozitetit dhe zbavitjes së njerëzve.

Miku im Altin Zaloshnja, ka bërë një shkrim me rastin e 4 Korrikut, ku përshkruan shkurtimisht tre nga 56 nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë. Shkrimi i tij kishte tjetër synim, por m’u kujtua për shkak të pikënisjes nga ato firma historike.

(Shkrimin e gjeni: https://www.illyria.com/tingulli-i-nje-premtimi-te-ndershem/ )

Në shkrimin e revistës së njohur të Universitetit të Harvardit, citohej bindja se një firmë e madhe ishte sinjal narcizizmi. Kurse studimet serioze që citonte e shihnin firmën e madhe si shenjë e një karakteri dominues. Të them të drejtën, më duken nga ato gjëra për të cilat mjafton intuita njerëzore më shumë se një diplomë psikologjie. Po nuk ishe tip dominant, madje, edhe pak narcizist, si mund të ngjitesh në krye të një korporate të fuqishme amerikane?

Një tjetër shkrim në internet, te “Shkenca Popullore” jepen disa tipare të firmave dhe se si mund të shpjegohen. Po i rreshtoj këtu:

KËNDI

Shpesh e hedhim firmën në një hapësirë të zbrazët që nuk ka vija. Kështu që shpesh e nis poshtë dhe përfundon lart.

Nëse ke një firmë që ngjitet përpjetë, atëhere kjo është shenjë ambicjeje, optimizmi, aftësie krijuese dhe vitaliteti.

Nëse firma vjen duke zbritur tatëpjetë, atëhere i bie të jesh natyrë skeptike, pesimiste, apo tregues i një momenti të vështirë në jetë.

Nëse firma vazhdon drejt sikur të kishte pasur vijë orientuese, është dëshmi vetëpërmbajtjeje, aftësie organizuese,

MADHËSIA

Edhe këtu përmendet një studim me 500 nënshkrimesh nga CFO drejtuesit financiarë të kompanive të mëdha amerikane.

Firma e madhe dëshmon vetëbesim. Sidomos nëse zë të gjithë hapësirën, jo dikush që beson se nuk gabon ndonjëherë.

Firma e vogël nga ana tjetër, mund të jetë shenjë e natyrës së tërhequr.

LEXUESHMËRIA

A është e lexueshme firma juaj apo është një lëmsh i pakuptueshëm.

Sipas këtij shkrimi firmat e palexueshme janë shenja të një mendje të shpejtë. Por edhe të një natyre që nuk e vret mendjen shumë për detajet por hidhesh në veprim.

Nëse e ke shumë të saktë, shumë të lexueshme firmën, mund të jetë dëshmi e një natyre të hapur, të drejtpërdrejtë.

TË PAMBARUARAT

Firmat që duken si të lëna përgjysëm. Ato që janë vetëm dy iniciale. Apo një emër a nofkë.

Kjo mund të jetë shenjë pavarësie, efikasiteti, por edhe natyrë që nuk do të zbulosh më shumë se sa duhet nga vetja.

LAJLELULET

Sa dekorative e keni firmën? A ka përdredhje, nënvizime, zbukurime që mund të ishin shmangur?

Mund të jetë shenjë se jeni njeri kompleks. Por edhe njeri që i bie gjatë muhabetit. (“Dil në temë, vëlla”!)

Sipas këtij shkrimi një vijë e zgjatur në fund të firmës është shenjë vendosmërie, këmbënguljeje, madje dhe kokëfortësie.

Një pikë në fund të firmës mund të jetë shenjë serioziteti, por edhe që e merr veten shumë seriozisht.

Këto janë spekullime kuptohet. Mos filloni tani me konkluzione politike apo personale. Konsiderojeni si pjesë të rubrikës “ENGLEDISJET E TË DIELËS”.