Prishtinë, 26 qershor 2026 – Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) është e gatshme të mbështesë formimin e institucioneve të reja të shtetit, me kusht që të përmbushen 6 kërkesa apo kushte për qeverinë e ardhshme, kushdo që do ta formojë atë.
Kryetari i AAK-së, Ardian Gjini, në një konferencë për medie, tha se partia që e udhëheq ai nuk synon të marrë pjesë në qeverinë e re të vendit, por është e gatshme të kontribuojë në një program qeverisës më të mirë për Kosovën.
Kërkesat e publikuara nga Gjini kanë të bëjnë me sektorin e ekonimisë, kryesisht me projekte zhvillimore dhe investime kapitale. Në krye të tyre AAK e ka vendosur projektin për gazin amerikan, të cilin e konsideron si projekt me rëndësi strategjike për Kosovën, dhe ndërtimin e një termocentrali të ri me thëngjill. Të tjerat kanë të bëjnë me mbështetjen e bizneseve dhe me investime kapitale, përfshirë investimet në Prishtinë.
Kushtet e AAK-së:
- Orientimi strategjik dhe gazi amerikan: Pranimi i menjëhershëm i projektit të gazit amerikan si një projekt i rëndësisë jetike për orientimin afatgjatë të shtetit.
- Pavarësia energjetike: Nisja e menjëhershme e procedurave për ndërtimin e termocentralit me thëngjill, për të garantuar zhvillim ekonomik dhe ulje të inflacionit.
- Lehtësime për bizneset e vogla: Ngritja e menjëhershme e pragut të TVSH-së nga 30,000 në 100,000 euro, për të çliruar potencialin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.
- Mbështetje për bujqësinë: Lirimi i plotë i tokës së punuar nga tatimi në pronë, me qëllim nxitjen e punimit të tokës dhe përkrahjen direkte të bujqve.
- Buxhetimi i infrastrukturës: Financimi i plotë buxhetor i projekteve të infrastrukturës jetike në Kosovë, të cilat aktualisht kanë mbetur të pezulluara në mungesë të mjeteve.
- Fondi emergjent për kryeqytetin: Ndarja e 800 milionë deri në 1 miliard eurove për Prishtinën, e cila, sipas tij, po bëhet e pajetueshme në mungesë të investimeve kapitale.
Ardian Gjini ka thënë se përmbushja e këtyre kërkesave është e panegociueshme për AAK-në, ndërsa rendin e formimit të institucioneve e ka cilësuar të parëndësishëm me kusht që të mos bëhet në shkelje të Kushtetutës.
“Ne e mbështesim cilëndo marrëveshje mes partive. Në një vend normal, me politikanë të përgjegjshëm, nuk do të ishte fare e rëndësishme se a zgjidhet së pari presidenti apo qeveria. Kur kjo bëhet temë bllokade, është shkelje e kushtetutës”, ka thënë ai.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për mundësinë e kandidimit të Ramush Haradinajt për president të vendit, Gjini ka thënë se AAK nuk e kërkon pozitën e presidentit, por ka theksuar se Haradinaj do të ishte president më i mirë.
“Nëse ka nevojë për kuorum, do ta bëjmë kuorumin. Nuk kërkojmë asgjë. Nëse Ramush Haradinaj do të kandidohej për president nuk do të ndryshonte kjo formulë. Do të ishte nder, por nuk e kemi vendosur këtë si kusht. Ne mendojmë se Kosova nuk do të mund të kishte president më të mirë se Ramush Haradinaj tash, por ne nuk duam ta bllokojmë vendin. Jemi të gatshëm ta bëjmë kuorumin dhe nuk kemi asnjë kusht vetjak”, ka thënë ai.
“Nëse do të duhet ne do ta zhbllokojmë ngërçin, por nuk do ta bëjmë vetëm pse një person po kërkon të bëhet kryeministër apo president. Do ta bëjmë vetëm nëse ka një zotim të pastër, të shkruar, për këto që i thashë”, ka theksuar ai.
Gjini ka thënë se AAK-ja nuk ka marrë nga LVV-ja ftesë për koalicion, por ka shtuar se kjo parti nuk do të pranojë të hyjë në koalicion me LVV-në edhe nëse do të marrë ftesë. Por, ai ka konfirmuar se AAK-ja është e gatshme të takohet me partitë tjera për të diskutuar për formimin e institucioneve dhe jo për ndarjen e pozitave.
“Nuk kemi kurrfarë droje të takohemi me partitë politike. Përkundrazi. Takimet dhe diskutimet janë të vlefshme, por jo takime ekskluzive vetjake. Ne nuk e pranojmë këtë, sepse duke u fokusuar se kush po e merr presidentin, Kosova po mbetet vendi më i pazhvilluar. Aleanca nuk pajtohet me këtë fakt”, ka theksuar Gjini.
(r.m.)