AAK prezanton mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë “Kurti”

Prishtinë, 23 mars 2024 – Shefi i Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri në një konferencë për media kishte paralajmëruar se kanë përgatitur një kërkesë për një debat në të cilën do të prezantojnë një Rezolutë përmes së cilës kërkohet që Qeveria Kurti të dorëhiqet.

Në trevjetorin e qeverisjes së Kurtit, deputeti i AAK-së tha se kjo qeveri vetëm i ka bërë dëme vendit.

“Mirëpo, unë jam i kënaqur që dje kryeministri i Kosovës më në fund e tha edhe vet dhe e ka kuptuar që duhet të dorëhiqet… u dorëzua dhe vendi të shkojë në zgjedhje”, tha ai.

E sot, AAK i ka publikuar përmbajtjen e Mocionit dhe Rezolutës.

Në dy pikat e rezolutës thuhet:

Të gjithë parametrat e deritashëm, sot në tre vjetorin e kësaj Qeverie, janë dëshmi se janë plotësuar të gjitha kushtet që qeveria ta përmbyllë mandatin e saj me dorëheqje, ose me mocion për shkarkimin e saj, të propozuar nga AAK.

Pas dorëheqjes ose shkarkimit të qeverisë, të shpërbëhet Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Ndërkaq, në Mocion përmenden si çështja e punësimit, drejtësisë, ekonomisë e investimeve publike, politika e jashtme e dialogu, kontrolli mbi administratën shtetërore, e presioni mbi mediat, shëndetësia dhe mirëqenia, arsimi, dështimi në fushën e energjisë, lufta ndaj korrupsionit.

Referuar mocionit të AAK-së, Qeveria Kurti ka dështuar katërçipërisht.

AAK njofton se deputetët e Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës do të kërkojnë mbajtjen e seancës së Kuvendit.

“Presim caktimin e të njëjtës nga Kryesia e Kuvendit. Krahas këtij mocioni përmbajtjesor, propozojmë edhe draftin e Rezolutës, e cila prezantohet për miratim në seancën plenare, pas përpjekjeve për unifikim të grupeve parlamentare për tekstin e saj”, thuhet në mocion.

(Telegrafi)