Uashington, 20 mars 2026 – Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane (The Albanian American Relations Council – AARC) njoftoi se një delegacion përfaqësues i këtij këshilli ka zhvilluar një takim përmbajtjesor gati dy-orësh, me tre zyrtarë në Departamentin e shtetit të Shteteve (DASH) të Bashkuara për të diskutuar për çështjet aktuale të shqiptarëve dhe për interesat amerikane në Ballkan.
Në këtë takim kanë marrë pjesë Andrew Caruso, zyrtari i DASH-it që e ka marrë portofolin e Kosovës pas largimit të Anne Morrison, si edhe John Robbins e David Maher, të cilët mbulojnë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut përkatësisht. Ndërkaq AARC është përfaqësuar nga Presidenti Martin Vulaj dhe ish-Shefi i Shërbimit në Zërin e Amerikës dhe botuesi i gazetës shqiptaro-amerikane “Illyria”, Vehbi Bajrami, i cili është anëtari më i ri i Bordit të AARC.
“Ndër temat kryesore të diskutuara ishin shqetësimet e përbashkëta të sigurisë, rruga e mundshme e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO, duke përfshirë sfidat eventuale në vijim. Departamenti theksoi nevojën urgjente për përmirësimin e klimës së investimeve, duke vënë në pah shqetësimet e ngritura nga kompanitë amerikane lidhur me pengesat lokale dhe theksoi interesin në rritje të SHBA-së në mbështetjen e zhvillimit të sektorëve të energjisë dhe të minierave”, njoftoi Vulaj në një postim në Facebook.
Vulaj ka thënë se ai dhe Bajrami kanë shprehur pikëpamjet e AARC-së lidhur me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Ai ka thënë se AARC ka kërkuar që SHBA të marr rol udhëheqës në dialog, meqë Evropa ka qasja burokratike ndëtsa Serbia nuk është e interesuar që ky dialog të përmbyllet me marrëveshje të qëndrueshme.
“AARC thekson se procesi [i dialogut] i cili ka zgjatur më shumë se 15 vjet ka dhënë rezultate të kufizuara. U nënvizua se Serbia nuk ka shprehur interes të vërtetë për përfundim të suksesshëm dhe se qasja burokratike e Evropës, që është në thelb e saj, deri më tani nuk ka shënë rezultate të rëndësishme. AARC theksoi se çdo përparim i vërtetë kërkon që ky proces të udhëhiqet nga SHBA-të. Duke përsëritur se qëndrim zyrtar i politikës së SHBA-së është njohja reciproke [mes Kosovës e Serbisë] AARC theksoi se kjo duhet të përcaktohet qartë si objektiv qendror i dialogut”, ka shkruar Vulaj.
Ai ka treguar se gjatë takimit është diskutuar edhe për zhvillimet aktuale në Shqipëri, me theks në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si edhe për investimet e huaja.
“Gjatë bisedës u theksuan marrëdhëniet e forta mes SHBA-së dhe Shqipërinë, si aleate e besueshme, si edhe progresi i dukshëm i SPAK-ut në luftimin e rrjeteve të krimit të organizuar të lidhura me Amerikën e Jugut. Gjithashtu, u diskutua për rëndësinë e përmirësimit të legjislacionit për të lehtësuar investimet e huaja, veçanërisht në dritën e fokusit aktual të administratës së SHBA-së për zgjerimin e tregtisë”, ka shkruar Vulaj.
Ai ka treguar se me zyrtarët e DASH-it është diskutuar edhe për çështjen e gjuhës së provimit të jurisprudencës për studentë shqiptarë të drejtësisë në Maqedoninë e Veriut.
“Së fundmi, palët e trajtuan lëvizjen aktuale të studentëve të drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, duke mbrojtur të drejtën e të diplomuarve shqiptarë në drejtësi që provimin e jurisprudencës ta japin në gjuhën shqipe”, ka shkruar Vulaj.
“AARC mbetet e përkushtuar për të siguruar që perspektivat shqiptare të përfaqësohen qartë në Uashington dhe që angazhimi i SHBA-së në rajon të vazhdojë të promovojë stabilitet, llogaridhënie dhe prosperitet afatgjatë”, thuhet në përfundim të njoftimit të Prssidentit të AARC, Martin Vulaj.

(r.m.)