Anëtari i Lartë i Komisionit të Punëve të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve rikonfirmon angazhimin e tij për të vazhduar trashëgiminë e mbështetësit historik të shqiptarëve në Kongres, Eliot Engel
Sipas një njoftimi nga AARC, përfaqësues të Këshillit Për Marrëdhëniet Shqiptaro Amerikane morën pjesë në një pritje kokteji në Washington, D.C., të shtruar për nder të kongresistit Gregory Meeks, Anëtarit të Lartë, apo numri dy, në Komisionin e Punëve të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve—një nga postet më me ndikim në hartimin e politikës së jashtme të SHBA-ve.
Në emër të AARC-së, ishin të pranishëm Presidenti Martin Vulaj, anëtari i Bordit dhe botuesi i gazetës “Illyria” Vehbi Bajrami si dhe mbështetësi Elio Ahmetaj. “Gjatë mbrëmjes, patëm mundësinë të falënderonim personalisht kongresistin Meeks për rolin e tij udhëheqës në ndihmën për përgatitjen dhe dërgimin e letrës drejtuar Sekretarit të Shtetit Marco Rubio, ku kërkohej vazhdimi i pranisë së trupave amerikane në Kosovw dhe nënvizohej rëndësia strategjike të këtij angazhimi”, njofton AARC. “Gjithashtu shprehëm mirënjohjen tonë të thellë për rolin e tij në mbështetjen e përpjekjeve në Kongresin Amerikan për të nxjerrë në pah dhe dënuar diskriminimin sistematik të shqiptarëve etnikë në Luginën e Preshevës”.
Në një moment të fuqishëm dhe inkurajues, kongresisti Meeks rikonfirmoi angazhimin e tij, për të mbajtur gjallë trashëgiminë e mbështetësit historik të shqiptarëve në Kongres, Eliot Engel, duke deklaruar: “Eliot nuk është më këtu. Por jam unë këtu për ju!”
AARC thotë se pret me besim një takim vijues me kongresistin Meeks për të zhvilluar strategji konkrete për forcimin e mbështetjes në Kongres për çështjet kyçe shqiptare në të gjithë rajonin.
“Gjithashtu patëm kënaqësinë të takonim kongresistin James Clyburn, një nga anëtarët me shërbimin më të gjatë në Dhomën e Përfaqësuesve, me të cilin diskutuam potencialin për mbështetje nga Kaukusi i Zi në Kongresin Amerikan — një koalicion prej 60 anëtarësh në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin Amerikan”, shkruhet në njoftimin e Këshillit. “AARC mbetet i përkushtuar për përparimin e interesave të shqiptarëve përmes partneriteteve të forta dhe angazhimit të vazhdueshëm në nivelet më të larta të qeverisë së Shteteve të Bashkuara”.


