AARC për organizimin dhe zgjerimin e Kaukusit për Çështjet Shqiptare në Kongresin Amerikan

Pak kohë pas takimt me Kongresisten Lisa McClain, Kryetare e Konferencës Republikane, AARC zhvilloi një sesion strategjik me stafin e saj, i fokusuar në organizimin dhe zgjerimin e Kaukusit për Çështjet Shqiptare, i cili tani numëron 20 anëtarë dhe vazhdon të rritet.

Diskutimi u përqendrua në ndërtimin e një mbështetjeje të fortë dypartiake në Kongres për çështje kyçe me rëndësi të përbashkët, përfshirë integrimin e Kosovës në NATO, angazhimin e vazhdueshëm të SHBA-së në procesin e dialogut me njohjen e ndërsjellë si qëllim përfundimtar, si dhe arritjen e një marrëveshjeje të vetme dhe gjithëpërfshirëse — në vend të qasjes aktuale evropiane të zbatimit selektiv të elementeve të veçanta.

Ne gjithashtu theksuam rëndësinë e mbrojtjes dhe zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit në Maqedoninë e Veriut, veçanërisht sa i përket të drejtave gjuhësore në nivel kombëtar dhe përfaqësimit të barabartë. Për më tepër, u ngritën shqetësime serioze lidhur me spastrimin etnik në vazhdim të shqiptarëve në jug të Serbisë përmes një procesi sistematik të pasivizimit.

Ramë dakord në këtë bisedë se nevojiten hapa konkretë me synime të qarta. AARC do të punojë ngushtë me partnerët në Kongres për të zhvilluar dhe zbatuar një strategji të mirëpërcaktuar, me synim avancimin e secilës prej këtyre prioriteteve dhe forcimin e rolit udhëheqës të SHBA-së në këto çështje kritike.