Për të forcuar marrëdhëniet shqiptaro-amerikane si dhe për të diskutuar për çështje të rëndësishme të shqiptarëve në rajonin e Ballkanit
Nga Ruben Avxhiu
Me 54 kongresistë afrikano-amerikanë në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, Kaukusi i Zi është një nga grupimet më të fuqishme politike në Shtetet e Bashkuara.
Kaukusi ka edhe një Komitet të Aksionit Politik (CBC PAC) që financon fushatat politike të politikanëve të afrikano-amerikanë por edhe atyre që mbështesin kauza të ngjashme. Kryetari i këtij Komiteti është kongresisti Gregory Meeks nga New York-u, Nënkryetari i Komitetit për Punët e Jashtme në Kongresin Amerikan (do të zgjidhet Kryetar nëse Demokratët marrin shumicën në nëntor).
Me ftesën e tij personale, Vehbi Bajrami, botuesi i gazetës “Illyria” në New York, ish-Drejtor i Programitt ë Gjuhës Shqipe në “Zërin e Amerikës”, dhe anëtari i Bordit të Këshillit për Marrëdhëniet Shqiptaro-Amërikane (AARC) mori pjesë në veprimtarinë shoqërore të Komitetit PAC të Kaukusit të Zi Kongresional këtë fundjavë në New York, për të biseduar për çështjen e Kosovës dhe për të forcuar lidhjet e komunitetit me ligjvënës të njohur amerikanë.
Meeks, i cili e mori stafetën nga miku ynë i shquar Eliot Engel në krye të Komitetitt ë Punëve të Jashtme, ka qenë një mbështetës i vendosur i Kosovës dhe ka një bashkëpunim të gjatë me botuesin Bajrami. Ai ishte instrumental në miratimin e një rezolute në Komitet që kërkon mbikqyrje amerikane të situatës në Luginën e Preshevës, si dhe ishte një nga 12 kongresistët dhe senatorët që i kërkoi së fundi, Sekretarit Marco Rubio që të mos zvogëlohet numri i trupave amerikane në Kosovë.
“Mbledhja joformale e Kaukusit në New York ishte një rast i mirë për të folur me disa figura të njohura të Kongresit për t’i prezantuar ata me çështje që janë të rëndësishme për ne”, tha Vehbi Bajrami, i cili bëri disa takime dhe anëtarë të Kaukusit dhe figura të tjera të politikës amerikane që merrnin pjesë në veprimtarinë e fundjavës.
Këto veprimtari ofrojnë rrethana intime për të biseduar me politikanë, gjatë mëngjeseve dhe drekave të punës, seminareve, dhe shoqërohen edhe me vizita në muzeume, shfaqje teatrale, apo në këtë rast edhe ndjekjen e një ndeshjeje futbolli nga Kupa e Botës që po mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Botuesi Vehbi Bajrami ka marrë pjesë në një seri takimesh në muajt e fundit në kuadrin e AARC-së, për të forcuar marrëdhëniet shqiptaro-amerikane si dhe për të diskutuar për çështje të rëndësishme të shqiptarëve në rajonin e Ballkanit, si anëtarësimi i Kosovës në NATO, protestat e studentëve për gjuhën shqipe në Maqedoninë Veriore etj
Në konferencën e radhës të Kaukusit të Zi, Bajrami bisedoi për zhvillimet e fundit politike në SHBA si dhe në rajonin e Ballkanit. Ai u foli kongresistëve për rolin e komunitetit shqiptar në Amerikë, miqësinë shqiptaro-amerikane, dhe situatën e shqiptarëve në Ballkan.
Përveç kongresistëve, të cilët përshkruhen më poshtë, ai u takua dhe pati biseda miqësore, me Kryetaren e Këshillit Bashkiak të Qytetitt ë New York-ut, Julie Menin dhe ish-kongresiten e njohur nga New York-u, Carolyn B. Maloney.
Kongresistët i premtuan Vehbi Bajramit se do të mbajnë lidhjet dhe do të interesohen për të mësuar më shumë për çështje që shqetësojnë shqiptarët dhe interesat amerikane në Ballkan. Më poshtë vijon një përshkrim i shkurtër i këtyre pjesëmarrësve.
Gregory Meeks është praktikisht Nënkryetari Demokrat i Komitetit për Punët e Jashtme në Kongresin Amerikan (Dhoma e Përfaqësuesve). Nëse Demokratët rifitojnë shumicën në nëntor, ai do të bëhet Kryetar i Komitetit, një post që e ka mbajtur dikur Eliot Engel.
Kongresisti Meeks u rrit në “projektet” e Harlemit, pallatet e të varfërve, studioi drejtësi, u bë avokat, e pastaj politikan i njohur. Ai përfaqëson sot Distriktin e 5-të Kongresional të New York-ut dhe është rizgjedhur për mandatin e tij të 13. Ai është një nga figurat më të rëndësishme në Kongresin Amerikan.
Kur zëvendësoi kongresistin Engel si Kryetar i Komitetit, Meeks u bë amerikani i parë afrikano-amerikan në historinë e Amerikës që shërbeu në atë post. Mbështetës i Kosovës dhe i shqiptarëve në përgjithësi, ai është anëtar i disa Komiteteve të rëndësishme në Kongres.
Shomari Coleman Figures është kongresist nga Alabama. Ai ka punuar në Administratën e Presidentit Barack Obama dhe në Shtëpinë e Bardhë, si drejtor i brendshëm në Zyrën e Personelit. Pas disa detyrave të tjera të rëndësishme, hyri vetë në politikë dhe u zgjodh në Kongresin Amerikan.
Emilia Sykes është kongresiste nga Ohio, që është rizgjedhur për herë të dytë në Kongresin Amerikan. Pas katër mandatesh në Asamblenë e Ohios, ajo u zgjodh në Kongresin Amerikan kur bën pjeë në Kaukusin e Zi dhe si bashkëkryetare e Kaukusit dy partiak të Gruas.
Lauren Underwood është kongresise nga Illinois që prej vitit 2019, e zgjedhur tashmë katër herë dhe një nga përfaqësueset më të njohura të Demokratëve në Kongres. Ajo shërben si Nënkryetare (Demokratja më e lartë, që mund të marrë kryesinë vitin që vjen) në Nënkomitetin për Sigurinë,
Robin Kelly kongresiste prej 12 vjetësh nga Ilinois, ajo shërben në disa Nënkomitete të rëndësishme në Komitetin e Energjisë dhe Tregëtisë, në Dhomën e Përfaqësuesve.
Jennifer L. McClellan ka hyrë në histori si afrikano-amerikanja e parë që zgjidhet në Kongres nga Virginia. Ajo shërben në Komitetin e Shërbimeve të Armatosura në Dhomën e Përfaqësuesve dhe është veç të tjerash anëtare e Kaukusit për Ukrainën në Kongresin Amerikan.
Më vonë, Vehbi Bajrami dhe Burim Rexhaj, Sekretar dhe Anëtar themelues i Bordit të AARC-së patën një drekë pune me kongresisten Nikema Williams, Anëtare e Komitetitt ë Financave në Kongres, me të cilën biseduan për gjendjen ekonomike dhe mundësitë për rritjen e tregëtisë mes SHBA-së dhe shteteve ku jetojnë shqiptarët në Ballkan.
Si shkruan Rexhaj në një shënim në Facebook: “Në veçanti, folëm për potencialin që kanë Kosova dhe Shqipëria në turizëm dhe energji dhe nderlidhjen e fondeve shteteve qe ende nuk e njohin Kosovën me njohje formale”. Ajo shprehu gatishmëri për të qenë pjesë e një delegacioni të ardhshëm në rajon, dhe për anëtarësim në Kaukusin e Çështjeve Shqiptare në Kongres.
Për më shumë se 30 vjet, Vehbi Bajrami ka kontribuar për çlirimin, pavarësinë dhe njohjen e Kosovës, si dhe për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në trojet e tyre amtare. Për këtë punë ai është nderuar nga Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani dhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe ka marrë një numër vlerësimesh dhe dekorimesh në vite. Ai është veç të tjerash edhe autor i libri voluminoz “Shqiptarët e Amerikës” me parathënie nga shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare.







Respekt dhe mirënjohje për njerëzit si Vehbiu.
Respekt dhe mirënjohje për njerëzit si Vehbiu.