Abazoviq: Do të ishte mirë që në Kuvend të votohet për shkarkimin e Gjukanoviqit

Nju Jork, 24 shtator 2022 – Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka thënë se Kuvendi duhet të votojë iniciativën për shkarkimin e presidentit të vendit, Milo Gjukanoviq.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, seksioni në gjuhën serbe, Abazoviq ka thënë se kështu do të dërgohej një mesazh i rëndësishëm politik, edhe pa konstatimin e Gjykatës Kushtetuese se Gjukanoviq e ka shkelur Kushtetutën e vendit.

“Mendoj se duhet ta votojmë këtë iniciativë dhe kështu parlamenti të përcjellë mesazh të qartë çfarë mendon për presidentin e shtetit. Është çështje e juristëve të thonë nëse kjo mund të operacionalizohet për shkak të Gjykatës Kushtetuese si të tillë, por përfundimisht ne jemi peng I një njeriu qe 30 vjet dhe vazhdojmë të jemi peng edhe sot e kësaj dite”, ka thënë Abazoviq.

Deputetët e shumicës parlamentare (Fronti Demokratik pro-rus, Demokratët dhe Lëvizja Qytetare URA) kanë nisur në Kuvendin e Malit të Zi procedurën për shkarkimin e presidentit, Milo Gjukanoviq. Sipas tyre, Gjukanoviqi e ka shkelur Kushtetutën, gjatë procedurës për emërimin e mandatarit për formimin e Qeverisë së re.

“Tashmë jemi një shumicë e sapokonstituuar, e cila mbështet formimin e një Qeverie të re, por është mjaft e larmishme me subjekte të ndryshme politike, që kanë vizione të ndryshme. Zgjidhja me siguri do të vijë në zgjedhje, por nuk është presidenti ai që do të vendosë se kur do të zhvillohen ato zgjedhje”, tha Abazoviq.

Pas rrëzimit të qeverisë së Dritan Abazoviqit, më 20 gusht, tri partitë që ekanë fituar shumicën në zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi ranë dakord që Miodrag Lekiq të jetë mandatar për përbërjen e Qeverisë së re. Por, ato nuk i dorëzuan te presidenti Gjukanoviq nënshkrimet e 41 deputetëve, sa i kanë bashkërisht në Kuvendin prej 81 ulësesh.

Për këtë arsye, Gjukanoviqi e refuzoi ta mandatojë Lekiq për formimin e Qeverisë së re të vendit, por propozoi shpërbërjen Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja.

(r.m.)