Abazoviq: Ndërkombëtarët “nuk mund t’i lajnë duart” për sulmin në veri

Tiranë, 6 tetor 2023 – Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, tha se Mali i Zi e dënon sulmin terrorist në pjesën veriore të Kosovës. Ai tha se kushdo që e ka kryer këtë sulm duhet të mbahet përgjegjës.
“Është fare e papranueshme ajo që ka ndodhur në veriun e Kosovës. Mali i Zi i përkrah qëndrimet e BE-së dhe NATO-s. Kushdo që ka krijuar atë lloj konflikti duhet të përgjigjet”, tha ai në Tiranë, pas përfundimit të takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të Procesit të Berlinit.
Abazoviq tha se pret që në hetimet për sulmin të marrin pjesë edhe ndërkombëtarët. Ai ka thënë se ndërkombëtarët “nuk munden me i la duart prej kësaj pune”, sepse janë paralajmëruar.
“Ka pasur shumë paralajmërime nga ana e Kosovës se atje ka njerëz të armatosur që janë kriminelë, prandaj ndërkombëtarët duhet të marrin përgjegjësinë e vet. Duhet t’i thonë gjërat siç janë, nëse duan të ndërtojnë një të ardhme”, tha ai.
Abazoviq nuk u përgjigj drejtpërdrejt pyetjes lidhur me deklaratën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, se “veriu i Kosovës është bërë tokë e askujt”. Por, ai tha se kufijt e Kosovës janë njohur nga të gjitha shtetet që e kanë njobhur pavarësinë e saj.
“Mali i Zi e ka njohur Kosovën në kufijtë që janë të pranueshëm për gjitha shtetet që e kanë njohur Kosovën dhe nuk ekzistojnë shtete që janë ekstraterritoriale”, tha ai.
Por, ai shprehu bindjen se veprimet e Ramës janë në favor të paqes në rajon.
“Dua të them se jam i bindur se veprimet e tij shkojnë vetëm në drejtimin që të kemi paqe dhe progres në rajon. Nuk jam unë ai që bën ndonjë kritike ndaj Edi Ramës, pasi jam i bindur se çdo veprim i tij shkon në drejtim që të kemi paqe një rajon”, tha kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq.
(r.m.)