Abdixhiku: Do të ofroj dorëheqje. Kuvendi do të vendosë nëse do ta pranojë ose jo

Prishtinë, 13 janar 2026 – Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, deklaroi të martën në mbrëmje se në Kuvendin e partisë, i cili pritet të mbahet së shpejti, do të ofrojë dorëheqje nga pozita e kryetarit, ndërsa vendimi për pranimin ose jo të dorëheqjes së tij do të merret nga delegatëtët e kuvendit, përmes votimit.

Abdixhiku tha se ofrimi i dorëheqjes është një proces demokratik dhe se Kuvendi i partisë është organi i vetëm që vendos për këtë çështje. Ai theksoi se në rast se Kuvendi i LDK-së nuk e pranon dorëheqjen e tij, ai do të jetë i obliguar të vazhdojë detyrën e kryetarit.

“Çdo vendim që do të merret, do të jetë vendim i përbashkët dhe në përputhje me vullnetin e Kuvendit të LDK-së”, deklaroi ai.

Ai tha se LDK-ja mbetet e bashkuar dhe se të gjitha vendimet do të formalizohen përmes organeve partiake.

“LDK-ja është unike dhe e bashkuar. Çështjet shtrohen në konsultime të tilla dhe më pas formalizohen në organet partiake”, u shpreh ai.

Abdixhiku I bëri këto deklarata pas një takimi disaorësh me anëtarë të Kryesisë së LDK-së, të cilin ai e quajti takim joformal. Ai tha se mbledhja e parë formale e Kryesisë së LDK-së pritet të mbahet javën e ardhshme, ku pritet të vendoset për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm të partisë.

“Takimi i vetëm formal është ai i Kryesisë që pritet të mbahet javën e ardhshme, ndërsa pas saj do të mbahet Kuvendi i LDK-së”, tha ai.

I pyetur lidhur me kandidaturat eventuale për kryetar të ri të partisë, Abdixhiku tha se çdo anëtar i LDK-së ka të drejtë të kandidojë individualisht për postin e kryetarit.

Abdixhiku kishte paralajmëruar dorëheqjen e tij nga pozita e kryetarit të LDK-së me 28 dhjetor, menjëherë pas publikimit të rezultateve paraprake të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.

Në këto zgjedhje, LDK-ja doli e treta, me vetëm 13.23 për qind. Ky është njëri nga rezultatet më të dobëta të LDK-së në historinë e zgjedhjeve në Kosovë.

(r.m.)