Prishtinë, 14 janar 2026 – Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar ndaj thirrjes publike të nënkryetares së partisë, Hykmete Bajrami, që ai të japë dorëheqje të parevokueshme nga kjo pozitë.
Në një postim në Facebook, ai ka thënë se ai ka ofruar dorëheqje, por vendimin për dorëheqjen e tij do të merret nga Kuvendi i jashtëzakonshëm i partisë.
‘Kam marrë hapin më moral që një kryetar mund ta marrë: kam ofruar dorëheqjen time. Kam hapur rrugën për secilin që ka pretendime. Jeni të lirë të garoni; në Kuvend e keni mundësinë. Tani vendimi nuk është më i imi, është i LDK-së’, ka shkruar Abdixhikun ë Facebook.
“Kemi thirrur Kuvendin. Aty flasim hapur. Aty propozojmë hapur. Aty vendosim hapur. Le ta presim Kuvendin. Le ta mbajmë debatin para shtëpisë sonë, me orë të tëra, me ditë të tëra po qe nevoja”, ka shtuar ai.
Abdixhiku, sikurse edhe një ditë më parë, përsërit se për “fatin” e tij politik do të vendosë Kuvendi i jashtëzakonshëm i partisë
“Fatin tim politik e vendos përballë LDK-së, jo mbi LDK-në. Dhe çfarëdo vendimi që merr Kuvendi, do ta respektoj me nder dhe qetësi”, ka theksuar ai.
Pak orë më parë, nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka bërë të ditur se ajo kërkuar që Abdixhiku të japë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kryetarit të partisë dhe kështu të hapet rrugë për zgjedhje të brendshme në parti. Ajo ka bërë të ditur se në respektim të standardit të vendosur nga vetë LDK-ja ka ofruar dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetares.
“Dje në mbledhjen e LDK-së kam kërkuar dorëheqjen e parevokushme të z. Abdixhiku nga pozita e kryetarit të LDK-së, si standard i vendosur nga vetë LDK-ja. Duke respektuar të njëjtin standard, kam ofruar dorëheqjen time të parevokueshme nga pozita e Nënkryetares së LDK-së, mbi parimin se kush merr rezultate të rënda zgjedhore për LDK-në duhet marrë përgjegjësi dhe t’i hapë rrugë zgjedhjeve të brendshme”, ka shkruar ajo në Facebook.
Postimi i plotë i Abdixhikut:
Më shumë se dorëheqja nuk kam çfarë të ofroj!
Kam dëgjuar dhe jemi dëgjuar me njëri-tjetrin me vëmendje. Çdo zë, çdo kritikë dhe çdo shqetësim, me orë të tëra. Pesë orë e gjysmë. Në fund kemi dalur me përgjegjësi të plotë dhe me dinjitet para qytetarëve për të shprehur jo mendimin e një individi, as timin, por të shumicës dërmuese, ashtu siç u pajtuam pas pesë orë diskutimi.
Nuk i shmangemi asnjë përgjegjësie dhe nuk i ikim asnjë reflektimi. Unë, edhe më pak.
Kam marrë hapin më moral që një kryetar mund ta marrë: kam ofruar dorëheqjen time. Kam hapur rrugën për secilin që ka pretendime. Jeni të lirë të garoni; në Kuvend e keni mundësinë. Tani vendimi nuk është më i imi, është i LDK-së.
Dua ta them qartë; nuk jam i lidhur pas pozitës. Jam i lidhur pas shtëpisë. Dhe shtëpia ruhet me rregull, me dinjitet dhe me besim në anëtarësinë e saj dhe në secilën kërkesë të tyre.
Më shumë se dorëheqja nuk ka çfarë të ofrojë një politikan. Eliminimet politike mund të jenë legjitime si aspiratë, por edhe për to vendos anëtarësia si tërësi, jo ne individualisht.
Kemi thirrur Kuvendin. Aty flasim hapur. Aty propozojmë hapur. Aty vendosim hapur. Le ta presim Kuvendin. Le ta mbajmë debatin para shtëpisë sonë, me orë të tëra, me ditë të tëra po qe nevoja. Jemi të njohur për demokraci dhe liri veprimi. Le të sillemi me përgjegjësi. Sepse LDK nuk është reagim i çastit, nuk është as protagonizëm i ditëve të vështira; edhe më pak vendim i rrjeteve sociale e duartroktijeve të kundërshtarëve. LDK është institucion.
Ta keni të qartë. Jo sot, jo dje po gjithëherë: Fatin tim politik e vendos përballë LDK-së, jo mbi LDK-në. Dhe çfarëdo vendimi që merr Kuvendi, do ta respektoj me nder dhe qetësi
Deri atëherë, le të sillemi si mbrëmë e si deri tash, pa dramë e pa protagonizëm, ballëhapur e me dinjitet.
Sepse mbi çdo emër është LDK.
Dhe kështu na takon të gjithëve.
(r.m.)