Abdixhiku i mbijeton nismës për shkarkim, mbetet kryetar i LDK-së

Prishtinë, 30 korrik 2026 – Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, i mbijetoi nismës për shkarkimin e tij nga pozita e kryetarit të partisë.

Në votimin e delegatëve të Kuvendit të jashtëzakonshëm të LDK-së, të thirrur nga mbi 150 delegatë të pakënaqur me rezultatet e partisë në zgjedhjet e fundit parlamentare, Abdixhiku i shpëtoi për një fije floku shkarkimit, me vetëm 2.31 për qind të votave të vlefshme.

170 delegatë votuan kundër shkarkimit, ndërsa 152 delegatë votuan për shkarkimin e tij. Pesë fletëvotime të hedhura në kuti ishin të pavlefshme.

Në Kuvendin e jashtëzakonshëm morën pjesë rreth 330 delegatë, nga gjithsej 355 sa i ka kuvendi i LDK-së.

Në hapje të Kuvendit, Abdixhiku e cilësoi si “të gabuar, të pavend dhe të pakohë” nismën për shkarkimin e tij. Nismtarët për shkarkimin e tij i fajësoi për rezultatin e dobët të LDK-së në zgjedhjety e fundit.

Nënshkruesit e kërkesës për kuvend të jashtëakonshëm kanë thënë se LDK-ja ka nevojë për reflektim pas rezultateve zgjedhore. Armend Zemaj, i cili paraqiti arsyet e kërkesës për shkarkimin e Abdixhikut, tha se Abdixhiku është përgjegjësi kryesor për rezultatet e dobëta të LDK-së në të gjitha ciklet zgjedhore prej se ai është në krye të partisë. Ai tha se Abdixhiku po I shmanget përgjegjësisë së tij duke ua atribuuar të tjerëve.

Kundërshtarët brenda partisë e akuzojnë Abdixhikun për “uzurpimin” e pozitave drejtuese të organeve të partisë, në kundërshtim me statusin e partisë, si edhe për vendime e emërime arbitrare.

(r.m.)