Prishtinë, 30 korrik 2021 – Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, e ka hedhur poshtë mundësinë e përfshirjes së Kosovës në çfarëdo procesi integrues në rajon dhe sido që të emërtohet ai, derisa Serbia nuk e njeh shtetin e Kosovës.
“Integrimi ekonomik ballkanik ka kuptim vetëm atëherë kur paraprihet nga një njohje politike – secili ndaj secilit. Serbia nuk e njeh Kosovën. Prandaj kufijtë marrin edhe më shumë kuptim. Ato bëhen vetvetiu më të fortë. Prandaj dhe si heqim dot as si ‘Mini Schengen’ e as si ‘Open Balkan’”, ka shkruar Abdixhiku, në një reagim lidhur me nismën për integrim ekonomik rajonal “Mini-Shengeni Ballkanik” që të enjten u ripagëzua “Open Balkan”.
“Kosova duhet të jetë pjesë e bashkëpunimeve rajonale. Por, vetëm si palë e barabartë – shtet sovran, i njohur nga të gjithë, njohëse e të gjithëve. Deri atëherë çdo nismë tjetër është e dëmshme për interesat nacionale tona dhe të shqiptarëve në rajon”, ka theksuar Abdixhiku.
Kryetari i LDK-së e ka fajësuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, që Kosova dhe Shqipëria nuk kanë një qëndrim të përbashkët përballë Serbisë.
“Kosova dhe Shqipëria duhet të kenë një mendim e një qëndrim”, ka theksuar ai.
Reagimi i plotë i Abdixhikut:
Integrimi ekonomik ballkanik ka kuptim vetëm atëherë kur paraprihet nga një njohje politike – secili ndaj secilit. Serbia nuk e njeh Kosovën. Prandaj kufijtë marrin edhe më shumë kuptim. Ato bëhen vetvetiu më të fortë. Prandaj dhe si heqim dot as si ‘Mini Schengen’ e as si ‘Open Balkan’.
Njohja para bashkëpunimit pa kufij!
Ky është qëndrimi im dhe i LDK-së.
‘Open Balkan’ para se të jetë projekt ekonomik është megjithatë projekt politik. Përfitimet ekonomike, bëhen të parëndësishme përballë mohimit politik serb – dhe këtë duhet ta kuptojë secili i përfshirë, sidomos kolegët tanë në Shqipëri.
Qeveria e Kosovës duhet të flasë gjithsesi me Shqipërinë e Qeverinë shqiptare atje. Tensionimi i pakuptimtë i relacioneve tona – kryesisht për shkak të interferimeve të pamatura elektorale në këtë fillimvit nga Kryeministri ynë – ka bërë që për herë të parë në historinë 30-të e sa vjeçare, rrugët tona përballë Serbisë të jenë të ndara. Dhe kjo në vete është fatkeqësi. Kosova dhe Shqipëria duhet të kenë një mendim e një qëndrim.
Kosova duhet të jetë pjesë e bashkëpunimeve rajonale. Por vetëm si palë e barabartë – shtet sovran; e njohur nga të gjithë, njohëse e të gjithëve. Deri atëherë çdo nismë tjetër është e dëmshme për interesat nacionale tona dhe të shqiptarëve në rajon.
(r.m.)