Abdixhiku: Kosova është në një moment kritik, shpresoj që Kurti të reflektojë

Prishtinë, 6 qershor 2023 – I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe i dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, janë takuar të martën në Prishtinë edhe me përfaqësues të partive opozitare në Kosovë.

Kryetari i e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku,deklaroi pas takimit se Kosova gjendet në një moment kritik dhe se përgjegjës për këtë është kryeministri Albin Kurti. Ai theksoi se janë shqetësuese sidomos relacionet e Kosovës me aleatët e saj.

“Jemi në një situatë shqetësuese për Republikën e Kosovës dhe, për më tepër, të paqartë. Shqetësuese për shkak të gjendjes së relacioneve që Kosova i ka me aleatët e saj, e paqartë për shkak të mungesës së planit dhe të gatishmërisë së kryeministrit të Kosovës për dakordim me aleatët tanë”, ka thënë ai.

Abdixhiku ka thënë se Kosova mnd të ketë pasoja nga qëndrimi i Kurtit ndaj aleatëve dhe ka theksuar se LDK-ja nuk mund të pajtohet me këtë gjendje, po nuk ka fuqi politike për të ndryshuar gjërat.

“Në këtë fazë të Kosovës, qytetarëve tanë uu mbetet t’i shohin pasojat që mund të vijnë nga një relacion i tillë, në radhë të parë nga SHBA-ja, BE-ja dhe NATO-ja. Një gjendje të tillë, ne si LDK, si parti politike opozitare me numër të kufizuar të deputetëve në Kuvend, e kemi të vështirë ta pranojmë”, është shprehur ai.

Abdixhiku ka shfaqur shpresën se kryeministri Albin Kurti “do të reflektojë” dhe do ta ndryshojë qasjen ndaj aleatëve strategjikë të Kosovës dhe I 

Ai ka thënë se edhe presidentja Vjosa Osmani duhet të jetë “më e qartë dhe më e zëshme”  në këtë moment kritik për  Kosovën.

“Unë shpresoj që ai (Kurti) të reflektojë dhe sërish i bëj thirrje Presidentes (Osmani) të jetë më e qartë, më e zëshme, në këtë moment kritik për Kosovën”, ka theksuar ai.

Abdixhiku ka lënë të kuptohet seLDK-ja nuk do ta  mbështesë nismën e AAK-së për paraqiitje të mocionit të mosbesimit për Qeverinë Kurti.

“S’jemi të interesuar për beteja politike, Jemi të shqetësuar për gjendjen në veri dhe jemi të shqetësuar për rrugën që duhet ta kemi përpara bashkë me aleatët”, ka theksuar Abdixhiku, duke kujtuar se opozita nuk mund të sigurojë shumicën e nevojshme për rrëzimin e qeverisë.

(r.m.)