Prishtinë, 21 shtator 2026 – Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e ka përkujtuar Heroin e Kosovës, Kolonelin Ahmet Krasniqi, ministrin e Mbrojtjes të Republikës së Kosovës që u vra në Tiranë, në një pritë tinëzare, sot 28-vjet.
Një delegacion i LDK-së ka bërë homazhe dhe ka vënë lule te varri i Krasniqit, në varrezat e Velanisë në Prishtinë.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në një postim në rrjetet sociale, e ka cilësuar Krasniqin atdhetar dhe strateg ushtarak që i priu organizimit të mbrojtjes në Kosovë në ditët më të rënda të saj.
“Për të, Republika ishte betim. Mbrojtja e saj ishte detyrë. Liria e popullit të tij ishte qëllimi i jetës”, ka theksuar ai.
Abdixhiku e ka cilësuar vrasjen e Krasniqit goditje të rëndë ndaj luftës për lirinë e Kosovës. Ai ka theksuar se LDK-ja do të kërkojë përjetësisht zbardhjen e vrasjes së Krasniqit dhe të të gjitha vrasjeve politike në Kosovë.
“LDK do të kërkojë përjetësisht zbardhjen e vrasjes së tij dhe të të gjitha vrasjeve politike. Ky zotim nuk skadon dhe këtë përgjegjësi që do ta bartim brez pas brezi. Deri në të vërtetën. Deri në drejtësi”, ka shkruar Abdixhiku.
Postimi i plotë i Abdixhikut:
Kolonel Ahmet Krasniqi, Ministri i Luftës që për komandant suprem e njihte Presidentin Ibrahim Rugova, u vra 28 vite më parë, në Tiranë.
Ushtarak i karrierës, strateg e atdhetar, ai i priu organizimit të mbrojtjes së Kosovës në ditët më të rënda të saj. Për të, Republika ishte betim. Mbrojtja e saj ishte detyrë. Liria e popullit të tij ishte qëllimi i jetës.
Vrasja e tij ishte goditje ndaj vetë përpjekjes sonë për liri. E sot, 28 vite më pas, mungesa e drejtësisë rëndon mbi shtetin që ai nuk arriti ta shihte të lirë.
Sot, në varrezat e Velanisë, mes familjarëve, bashkëveprimtarëve e zyrtarëve të Ministrisë së Mbrojtjes, nderuam Kolonel Ahmet Krasniqin!
LDK do të kërkojë përjetësisht zbardhjen e vrasjes së tij dhe të të gjitha vrasjeve politike.
Ky zotim nuk skadon dhe këtë përgjegjësi që do ta bartim brez pas brezi. Deri në të vërtetën. Deri në drejtësi.
(r.m.)
