Prishtinë, 28 dhjetor 2025 – Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e mori përgjegjësinë për rezultatin e dobët të kësaj partie në zgjedhjet parlamentare të së dielës.
Në një konferencë për medie, pas publikimit të rezultateve paraprake, ai tha se mban përgjegjësi të plotë për rezultatin e zgjedhjeve dhe se në ditët në vijim do ta thërrasë kuvendin e jashtëzakonshëm të partisë për të diskutuar për hapat e mëtejmë.
“Duke marrë përgjegjësinë, ditëve në vijim do ta thërras Kuvendin e LDK-së dhe para tij do t’i shpalosim e shqyrtojmë të gjitha çështjet dhe përgjegjësit që mbaj si kryetar”, tha ai.
“Rezultati i LDK-së nuk është ai që e kemi pritur dhe dëshiruar. Është moment reflektimi. Kur qytetarët flasin, ne duhet të dëgjojmë. Demokracia funksionon kur udhëheqësit mbajnë përgjegjësi, edhe kur kanë humbje të tilla”, tha ai.
Abdixhiku tha se në Kuvendin e jashtëzakonshëm të partisë do të diskutohet edhe për dorëheqjen e tij.
“Në Kuvendin e Përgjithshëm do të vihet në diskutim edhe dorëheqja”, tha ai.
Lidhja Demokratike e Kosovës pësoi një rënie të madhe në zgjedhjet e së dielës. Sipas rezultateve paraprake, kjo parti I fitoi 13,77 për qind të votave, 4.5 për qind më pak se në zgjedhjet e kaluara.
(r.m.)