Abdixhiku për marrëveshjen: “Mashtrim dhe humbje e një mundësie historike”

Prishtinë, 19 mars 2023 – Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka shprehur qëndrim shumë kritik për marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, të arritur të shtunën në mbrëmje në Ohër.

Abdixhiku, në një  postim të shkurtër në Facebook, e ka quajtuar “mashtrim dhe humbje e një mundësie historike” epilogun e dialogut të udhëhequr nga Kurti.

Ai ka thënë se kjo është “një marrëveshje pa njohje, jo finale dhe me asociacion plus në të” dhe ka theksuar se me këtë marrëveshje në Kosovë krijohet një “gjendje e re e pariparueshme më”.

Postimi i plotë:

Mashtrim dhe humbje e një mundësie historike – ky është epilogu i Kurtit si kryeministër në dialog. Një kauzë politike e rremë – që Kosovës i kushtoi tmerrësisht shumë – përfundoi sonte. Kushtet e vëna, fjalimet e thëna, qëndrimet e dhëna, thjeshtë u zhbënë.

Përveç saj, një marrëveshje pa njohje, jo finale dhe me asociacion plus në të është çfarë Kurti i solli Kosovës sot. Kjo gjendje e re, e shndërruar si detyrim integrues për vendin tonë, është e pariparueshme më.

(r.m.)