Prishtinë, 11 mars 2026 – Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, tha se Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është e mirëseardhur në LDK.
Në një intervistë në Klan Kosova, Abdixhiku tha se Osmani ka një vend të padiskutueshëm në LDK.
“Kur them që na duhen institucionalistët, të djathtit, pro-perëndimorët, të diturit dhe të mençurit e këtij vendi, pa dyshim që Vjosa është pjesë thelbësore dhe shumë e rëndësishme e projektimit dhe jo vetëm”, deklaroi ai.
Abdixhiku e la të hapur mundësinë e afrimit të figurave të reja politike ose rikthimin e ish-anëtarëve në këtë subjekt politik.
“Dera e LDK-së është e hapur për të gjithë ata që janë të pakënaqur me gjendjen aktuale në Kosovë”, tha ai.
Vjosa Osmanit i përfundon mandati i Presidentes së Kosovës më 4 prill. Të hënën, në një intervistë për TV Syri, Osmani nuk është përgjigjur shprehimisht në pyetjen se a do të rikthehej në LDK.
“Unë do ta kryej detyrën time me nder si presidente deri më 4 prill. Pas kësaj do ta bëj një vlerësim të ri konkret në interes të Kosovës dhe do ta marr vendimin për rrugën përpara”, ka thënë ajo.
Osmani ka qenë nënkryetare e LDK-së deri në vitin 2020. Ajo ishte shkarkuar për shkak të mospajtimeve me kreun e atëhershëm të partisë, Isa Mustafa.
Në vitin 2021 Osmani e themeloi partinë Guxo, e cila në zgjedhjet e vitit 2021 garoi bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje. Po atë vit, pasi u zgjodh Presidente e Kosovës, ajo dha dorëheqje nga pozita e kryetares së kësaj partie.
Prej atëherë partia Guxo udhëhiqet nga bashkëthemeluesit e saj, Donika Gërvalla dhe Faton Peci. Në të gjitha zgjedhjet e deritashme kjo parti ishte pjesë e koalicionit parazgjedhor me Lëvizjen Vetëvendosje.
(r.m.)