Administrata Trump ia ndalon Universitetit të Harvardit të pranojë studentë të huaj

Uashington, 23 maj 2025 – Administrata e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ia ka ndaluar Universitetit të Harvardit të pranojë studentë të huaj, raporton Euronews.

Administrata Trump tha se mijëra studentëve të huaj të tanishëm u kërkohet të transferohen në universitete të ndryshme ose të largohen nga vendi.

“Kjo do të thotë se Harvardi nuk mund të regjistrojë më studentë të huaj dhe studentët ekzistues të huaj duhet të transferohen ose të humbasin statusin e tyre ligjor”, thuhet në një deklaratë të Departamentit Amerikan të Sigurisë Kombëtare.

Sipas njoftimit të këtij departamenti, Universiteti i Harvardit ka shkaktuar krijimin e një atmosfere të pasigurt në kampus, duke mos parandaluar sulmet e “anti-amerikanëve pro-terroristë” ndaj studentëve hebrenj.

Madje, sipas Departamentit Amerikan të Sigurisë Kombëtare, Universitetri i Harvardit ka bashkëpunuar me Partinë Komuniste Kineze, duke pritur anëtarë të një organizate paraushtarake kineze dhe duke ofruar trajnime për ta deri në vitin 2024.

Universiteti i Harvardit, i cili është universiteti më i vjetër dhe më i pasur në Shtetet e Bashkuara, i ka rreth 6,800 studentë të huaj në kampusin e tij në Kembrixh, Massachusetts. Ata përbëjnë mbi një të katërtën e numrit të përgjithshëm të këtij universiteti. Shumica e tyre vijnë nga më shumë se 100 vende të botës.

Universiteti i Harvardit e quajti të paligjshëm veprimin e administratës së Presidentit Trump.

“Ky veprim hakmarrës kërcënon komunitetin e Harvardit dhe vendin tonë, dhe minon misionin akademik dhe kërkimor”, tha universiteti në një deklaratë.

Konflikti midis administratës Trump dhe Universitetit të Harvarditështë përshkallëzuar që kur ky universitet kundërshtoi hapur kërkesat e Shtëpisë së Bardhë për ndryshime në shkollat ​​elitare, të cilat janë etiketuar si “baza të liberalizmit dhe antisemitizmit”.

Qeveria federale i ka reduktuar për 2.3 miliardë dollar grantet për Universitetin e Harvardit, gjë që e detyron universitetin të financojë vetë një pjesë të konsiderueshme të aktiviteteve të tij kërkimore.

(r.m.)

Comment

*