Prishtinë, 29 korrik 2026 – Një delegacion i organizatës Albanians for America (AFA), i përbërë nga Gino Mulliqi, Gëzim Rushiti dhe Janinë Memeti, u prit në takim te kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Në një njoftim në Facebook, AFA njoftoi se gjatë takimit u diskutua për zhvillimet aktuale në vend, për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikë dhe për çështje me rëndësi strategjike për të ardhmen e Kosovës, përfshirë avancimin e procesit të anëtarësimit të Kosovës në NATO.
Në njoftim thuhet se delegacioni i AFA-s e “riafirmoi qëndrimin për rifillimin të dialogut strategjik Kosovë–SHBA”, të cilin e konsideron si “një mekanizëm që do të mund të kontribuonte në thellimin e bashkëpunimit në fushat e sigurisë, ekonomisë, energjisë dhe zhvillimit institucional”, mes SHBA-së dhe Kosovës.
Delegacioni i AFA-s bëri të ditur se në takim është diskutuar edhe për projektet strategjike, me theks në diversitetin e burimeve të furnizimit të Kosovës me energji.
“Delegacioni i AFA-së diskutoi gjithashtu për mundësitë e zhvillimit të projekteve strategjike ekonomike dhe energjetike, me theks të veçantë në projektin e gazit të lëngshëm natyror (LNG), si një mundësi për diversifikimin energjetik, forcimin e sigurisë energjetike dhe krijimin e mundësive të reja për investime dhe zhvillim ekonomik në Kosovë”, thuhet në njoftim.
AFA njoftoi gjithashtu se në takim është diskutuar për rolin e komunitetit shqiptaro-amerikan në forcimin e marrëdhënieve mes SHBA-së e Kosovës, rol ky që vlerësohet si shumë i rëndësishëm, si edhe për angazhimet e AFA-s në promovimin e interesave të përbashkëta dhe në forcimin e lidhjeve ndërmjet dy vendeve.
“Në këtë kontekst, u nënvizua rëndësia e angazhimeve të përbashkëta për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve Kosovë–SHBA dhe për avancimin e objektivave strategjike të Kosovës në rrugën e integrimit euroatlantik”, thuhet në njoftim.
(r.m.)