Prishtinë, 6 shtator 2021 – Për dallim nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ku afganët që po gjejnë strehim atje janë të lirë të lëvizin jashtë hapësirave ku ata janë të vendosur, për afganët që strehohen në Kosovë ka masa më të rrepta të sigurisë.
Rreth 700 afganë, që përmes disa fluturimeve u sollën në Kosovë, për një kohë të pacaktuar do të mbesin të izoluar, shumica prej tyre në kampin e kompanisë së ndërtimit të rrugëve, Bechtel-Enka si dhe pjesa tjetër në kampin e ushtrisë amerikane, Bondsteel.
Kampi i Bechtel-Enkas ku janë strehuar shumica e afganëve ndodhet në Ferizaj, rreth 40 kilometra larg Prishtinës dhe më pak se tri kilometra larg kampit Bondsteel.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla sqaroi për Radion Evropa e Lirë, arsyet se pse afganët që janë të strehuar në Kosovë, po mbahen të mbyllur.
“Për shkak të rrethanave në të cilat vendi ynë gjendet, për shkak të proceduarave deri në furnizimin e tyre me dokumentet e nevojshme, por edhe për shkak të pandemisë dhe sigurisë, momentalisht ata janë të lirë të qarkullojnë brenda komplekseve ku janë të vendosur. Ditëve në vijmë ne do të përgatitemi që t’ua mundësojmë edhe lirinë e lëvizjes”, tha Sveçla.
Ministri Sveçla theksoi se ata mund të lëvizin me ndonjë asistencë vetëm në raste të veçanta.
“Për arsye emergjente ata mund të lëvizini apo ne mund t’i asistojmë, por aktualisht për shkak të rrethanave, ata duhet të qëndrojnë brenda komplekseve ku janë”, tha ai.
Afganët që po qëndrojnë në Kosovë janë kryesisht persona që kanë punuar në cilësi të ndryshme për ushtrinë amerikanë si dhe forcat e tjera aleate të NATO-s, që kanë operuar në Afganistan në 20 vjetët e fundit.
Në Kosovë deri me tani janë strehuar 683 shtetas afganë që ikën nga Afganistani pasi militantët talibanë morën kontrollin e shtetit.
Operacioni i sjelljes së afganëve të tjerë në Kosovë ende nuk ka përfunduar, kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë nga NATO-ja.
“Ne jemi duke punuar ngushtë me institucionet në Kosovë, të cilat kanë rënë dakord të presin të evakuarit dhe kanë identifikuar objektin Bechtel që do të shërbejë si strehim i përkohshëm derisa të identifikojmë opsionet e rivendosjes”, thuhet në përgjigjen e NATO-s.
Rreth 2,000 persona pritet të strehohen përkohësisht në Kosovë, përderisa ata të presin kompletimin e dokumentacionit për t’u vendosur në baza të përhershme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Memli Ymeri, koordinator i projektit në Programin për të Drejtat Civile, thotë se grupi i afganëve që po qëndrojnë në Kosovë kanë të drejta të garantuara bazuar në Ligjin për azilin në Kosovë.
Sipas tij, grupi i afganëve që po strehohen në Kosovë, me vendim të qeverisë e gëzojnë mbrojtjen ndërkombëtare dhe se statusi i tyre është në mbrojtje të përkohshme.
Në kuadër të kësaj, sipas Ymerit, hynë edhe e liria e lëvizjes, e cila, sipas tij, në disa raste, për shkaqe të sigurisë, mund edhe të kufizohet.
“Në rast se institucionet e sigurisë e konstatojnë se personi është i rrezikuar që të dalë jashtë, atëherë mund të ndalohet liria e lëvizjes. Kjo vlen edhe për këtë grupin e fundit të afganëve. Në këtë rast, me vendim të qeverisë ku cekën shkaqet e arsyeshme, mund t’iu ndalohet edhe lëvizja e lirë jashtë kampit”, thotë Ymeri.
Përpos të drejtës për liri të lëvizjes, afganëve që janë në mbrojte të përkohshme, u garantohen edhe të drejta të tjera.
“Atyre u ofrohet ndihmë shëndetësore dhe nëse ka fëmijë të vegjël duhet t’iu ofrohet qasje në arsimim, lirinë e asociimit në shoqata e të tjera, e të tjera. Janë disa të drejta taksativisht të numëruara (në Ligjin për azi), të drejtat që ata nuk i gëzojnë janë se nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në zgjedhje, të zgjidhen, të punojnë në institucione shtetërore e të tjera”, shton Ymeri.
Në Shqipëri, qindra afganë janë strehuar në hotele në Durrës, disa në Shëngjin dhe të tjerë në godinat e Qytet Studentit në Tiranë.
Maqedonia e Veriut ka strehuar rreth 149 afganë. Autoritetet maqedonase thanë për Radion Evropa e Lirë se kanë siguruar kushte të duhura që të ndihmojnë shtetasit afganë, ta kalojnë këtë periudhë sa më lehtë.
Të strehuarit në këtë shtet, që kanë marrë me vete familjet e tyre, kanë punuar në organizata joqeveritare ndërkombëtare, disa prej të cilëve për organizatën Transparency Internacional si dhe të tjerë për Forumin Botëror Ekonomik.
(REL)