Crans Montana, 1 janar 2026 – Mbi 40 persona kanë humbur jetën e 115 janë lënduar pasi një zjarr shpërtheu në një bar në resortin alpin Crans-Montana në Zvicër, rreth orës 2 pas mesnatës, raportojnë mediet nga Zvicra.
“Rreth 40 persona kanë vdekur dhe të paktën 115 janë lënduar, shumë prej tyre rëndë”, ka thënë komandantit të Policisë kantonale të Valaisit, Frederic Gisler, në konferencë për media.
Ai ka thënë se në mesin e viktimave janë edher disa shtetas të huaj dhe ka theksuar se gjatë ditëve në vijim do të jetë prioritet identifikimi i viktimave, në mënyrë që trupat e pajetë t’u dorëzohen sa më shpejt familjarëve të tyre.
Gisler ka treguar se disa prej të lënduarve janë në gjendje të rëndë.
Prokurorja e përgjithshme, Beatrice Pilloud, ka thënë se ekzistojnë disa hipoteza për shkaqet e zjarrit. Ajo ka treguar se janë intervistuar shumë dëshmitarë dhe do të analizohen telefonat që janë gjetur në vendin e ngjarjes.
Pilloud ka thënë se mandati për të kryer hetimet e për të përcaktuar shkaqet e shpërthimit të zjarrit i është dorëzuar Institutit të Forenzikës në Cyrih. Ajo ka thënë se nuk ka të arrestuar apo të dyshuar lidhue me shpërthimin e zjarrit, pasi zjarri nuk ishte “akt i qëllimshëm”.
Presidenti i Zvicrës, Guy Parmelin, e ka quajtur ngjarjen e të enjtes si “një nga tragjeditë më të rënda që ka përjetuar Zvicra”.
“Çfarë duhej të ishte një festë e gëzueshme në ditën e parë të vitit në Crans-Montana është shndërruar në një humbje tragjike që prek gjithë vendin dhe më gjerë”, ka shkruar Parmelin në platformën X.
Parmelin ka falënderuar vendet që kanë ofruar mbështetje pas zjarrit, përfshirë Francën, Gjermaninë dhe Italinë. Ai tha se po vendosen komunikime përmes ministrive të jashtme me familjet e viktimave të huaja.
Parmelin ka thënë se flamujt e Zvicrës do të ulen në gjysmë shtizë për pesë ditë, pas tragjedisë së rëndë.
Dëshmitarët e kanë përshkruar panikun dhe përpjekjet dramatike të mysafirëve për t’u shpëtuar flakëve të zjarrit. Një nga gratë dëshmitare ka thënë për BFMTV se e ka parë barmanin që po e mbante një kamariere mbi supet e tij, ndërsa ajo po e bartte një qiri të ndezur në një shishe që shkaktoi zjarrin në tavanin prej druri të lokalit. Ajo ka treguar se flakët e zjarrit janë përhapur shumë shpejt dhe tavani ka rënë përtokë.
Dëshmitarë të tjerë kanë treguar se si njerëzit po përplaseshin ndërsa po përpiqeshin të dilnin nga klubi në katin e poshtëm, duke thyer dritaret për të shpëtuar nga zjarri. Ata kanë thënë se zjarri ka shkaktuar shpërthime të lëndëve djegëse të cilat zjarrfikësit i cilësojnë si “flashover” ose “backdraft”.
“Kjo mbrëmje duhej të ishte një moment feste dhe bashkimi, por u shndërrua në një makth,” ka thënë kreu i qeverisë rajonale, Mathias Rénard.
(r.m.)