Afron fundi i numërimit të votave. Kush janë kandidatët më të votuar?

Prishtinë, 2 janar 2026 – Procesi i numërimit të votave për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit në Kosovë po shkon drejt fundit. Sipas ëeb-faqen e Komisionit Qendror Zgjedhor deri në fund të këtij procesi kanë mbetur të numërohen edhe rreth 5 për qind të votave.

Numërimi i deritashëm e ka nxjerrë në pah fuqinë e partive në skenën politike të Kosovës, por deridiku e kanë nxjerrë në pah edhe fuqinë e kandidatëve të partive politike të përfshira në listat për zgjedhje.

Megjithkëtë, gara për prestigj brenda subjekteve politike pothuajse ka përfunduar dhe lëvizjet ndër pesë kandidatët më të votuar duket e mbyllur. Ndryshime në renditje mund të ketë vetëm në listat e tri partive më të mëdha, duke qenë se dallimet në vota të kandidatëve të zonës kritike janë të vogla, prandaj mjafton “një grusht” që kandidatët në këtë zonë të fitojnë mandatin e deputetit ose të mbeten jashtë.

Tashmë është e sigurtë se partia më e madhe, Lëvizja Vetëvendosje, i ka mbërritur në mbi 400 mijë vota, kurse kandidati i saj për kryeministër, Albin Kurti, është kandidati më i votuar, me mbi 330 mijë vota.

Pas tij, në pesë kandidatët më të votuar të kësaj partie, janë Glauk Konjufca me më shumë se 255 mijë vota, Albulena Haxhiu e Hekuran Murati me më shumë se nga 134 mijë vota dhe Donika Gërvalla me më shumë se 120 mijë vota.

Nga kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës, kryetari dhe prijës i listës Bedri Hamza i ka marrë 146 mijë vota, i dyti ka dalë Arian Tahiri, ndërsa top-pesëshen e mbyllin Përparim Gruda, Uran Ismaili e Sala Jashari me mbi 43 mijë vota.

Lumir Abdixhiku, kandidati i LDK-së për kryeministër, i ka marrë më shumë se 75 mijë vota. E dyta nga kandidatët e LDK ka dalë Hykmete Bajrami, ndërsa pesëshen e parë e mbyllin Ukë Rugova, Avdullah Hoti dhe Doarsa Kica-Xhelili.

Nga kandidatët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës më i votuari kryetari i saj Ramush Haradinaj, me rreth 39 mijë vota. Në pesëshen e parë sipas numrit të votave janë edhe Daut Haradinaj, Besnik Tahiri, Bekë Berisha dhe Agim Çeku.

Në të njëjtën kohë ka nisur numërimi i votave nga përfaqësitë diplomatike.

Sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje do të mund të formojë Qeverinë vetëm në bashkëpunim me komunitetet joshumicë. Partia e Albin Kurtit ka marrë 56 ulëse nga 100 sa janë për partitë shqiptare. PDK-ja do t’i ketë 23, LDK-ja 15 e AAK-ja 6.

(r.m.)

Comment

*