Agjencia e Aviacionit Civil për incidentin me presidenten e Kosovës: Punonjësit e aeroportit vepruan profesionalisht

Shkup, 9 gusht 2024 – Agjencia e Aviacionit Civil në Maqedoninë e Veriut, tha të premten se punonjësit e aeroportit të Shkupit “kanë vepruar në mënyrë profesionale” dhe kanë zbatuar rregullat gjatë kalimit të presidentes së Kosovës nëpër këtë aeroport, në fillim të këtij muaji.

Me 1 gusht zyra e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, akuzoi autoritetet e aeroportit të Maqedonisë së Veriut për shkelje të praktikave ndërkombëtare, duke penguar presidenten gjatë kalimit nëpër aeroportin e Shkupit. Presidenca e Kosovës tha se e konsideron çdo sulm dhe trajtim të parregullt e në kundërshtim me konventat ndërkombëtare të zyrtarëve të lartë shtetëror, si sulm ndaj vet shtetit të Kosovës.

Agjencia e Aviacionit Civil në Shkup tha të premten se ekipi i inspektorëve i udhëhequr nga drejtori Dragi Stojanoski, ka rishikuar provat dhe ka kryer kontrolle në kompaninë që menaxhon Aeroportin e Shkupit, lidhur me ngjarjen në të cilën ishte përfshirë presidentja Osmani.

“Gjatë inspektimit fillestar, u konstatua se shërbimet e aeroportit përgjegjës për kontrollin e sigurisë, në kuadër të përgjegjësive të tyre të punës, kanë vepruar në mënyrë profesionale dhe duke ndjekur rregullat e vendosura nga rregullorja ndërkombëtare, duke mos lejuar shmangien e standardeve dhe procedurave edhe nën trysninë e personave që shoqëronin udhëtarin”, thuhet në një njoftim gtë kësaj agjencie, në të cilin theksohet se “refuzimi i kryerjes së kontrollit standard të sigurisë me të njëjtët udhëtarë ka ndodhur edhe në vitin 2022 dhe me 2023 kur kontrollet e sigurisë u pranuan vetëm pasi piloti komandues refuzoi të pranonte udhëtarë në avion pa kontroll të paracaktuar të sigurisë”.

Agjencia tha se këto janë standarde ndërkombëtare të pranuara përgjithësisht, dhe nëse dikush dyshon në besueshmërinë e tyre, “ne rekomandojmë që të zbatojë të njëjtën procedurë në një nga aeroportet ndërkombëtare evropiane në mënyrë që të bindet në zbatimin e tyre”.

Presidenca e Kosovës reagoi duke theksuar se “në asnjë vend të botës, kreut të shtetit nuk i kërkohet ta dorëzojë telefonin për skanim”.

“Si Presidencë, kemi përvojë të mjaftueshme edhe me udhëtime të tjera, nuk kemi nevojë ta provojmë, ngase askund, asnjëherë as çanta personale, as valixhja (bagazhi personal) e as telefoni i kreut të shtetit nuk i janë nënshtruar kontrollit”, thuhet në një deklaratë të zotit Bekim Kupina, zëdhënës i presidentes së Kosovës Vjosa Osmani.

Në deklaratë thuhet se Maqedonia e Veriut “është i vetmi shtet në botë që refuzon të aplikojë të drejtën ndërkombëtare zakonore dhe konventat ndërkombëtare që kanë të bëjnë me kreun e shtetit. Siç kemi deklaruar disa herë, presidentja e ka vendosur në kontroll çantën e saj dhe ajo e ka kaluar skanerin. Çdo deklaratë tjetër është propagandë për qëllime politike. Nuk ka asgjë profesionale në sjelljen e sigurimit që i del përpara kreut të një shteti dhe ia bllokon lëvizjen pasi ta ketë vendosur edhe çantën në skaner. RMV ka shkelur rregullat ndërkombëtare që aplikohen çdo kund në botë duke kërkuar skanimin e telefonit të Presidentes së një shteti tjetër, gjë që do të paraqiste potencial për cenim të sigurisë kombëtare”.

Ngjarja ngjalli reagime të shumta në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut. Ajo nxori në pah edhe mospajtimet ndërmjet presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti, i cili me 5 gusht u takua në Shkup me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Hristian Mickoski.

Presidenca e Kosovës shprehu të martën keqardhjen për mënyrën se si u trajtua incidenti gjatë konferencës së shtypit të dy kryeministrave.

Kryeministri Kurti tha se institucionet e Kosovës nuk e konsiderojnë këtë rast si provokim nga ana e Maqedonisë së Veriut ndërsa kryeministri maqedonas, Mickoski shprehu keqardhjen për incidentin.

Në reagimin e së martës të presidencës së Kosovës thuhej se “mënyra se si u trajtua incidenti” është për keqardhje, “sepse i ka kontribuar edhe më shumë propagandës kundër Republikës së Kosovës”.

Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë marrëdhënie diplomatike që nga viti 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë e saj me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore perëndimore, ndërsa kundërshtohet nga Serbia dhe aleatja e saj, Rusia.

(Zëri i Amerikës)