Mehmet Prishtina
Në vlugun e të gjitha ngjarjeve, pashmangshëm na imponohet edhe kriza shëndetësore, e cila javëve të fundit po shënon një kosto të lartë për jetën e njerëzve. Pandemia Covid 19, u rikthye me gjithë fuqinë e rrezikut për t’u shndërruar në një makth të vërtetë për gjithë ata që e shpallën të vdekur këtë virus të kobshëm. Doli se as virusi nuk kishte vdekur, por as vetëdija jonë nuk ishte ngritur për ta marrë më seriozisht këtë krizë shëndetësore, e cila po bëhet temë qendrore e atye që i analizojnë efektet negative të kësaj krize në ekonomi, në mbarëvajtjen e procesit mësimor, në turëzëm dhe gastronomi etj.
Kjo atmosferë politike, sociale e shëndetësore nëpër të cilën po kalon bota shqiptare nuk mund të shikohet e veçuar nga ajo çka po ndodhë aktualisht në rajon.Në Tiranë dhe në Beograd patëm kancelarën Merkel në vizitë lamtumirëse, dhe jehona e kësaj vizite vazhdon të interpretohet në mënytra të ndryshme. Ata që kanë mundur të ngelin më të zhgënjyer nga kjo vizitë, sigurisht janë në mesin e atyre që kanë pritur më tepër nga kjo vizitë, ndonëse politika e jashtme e Gjermanisë për Ballkanin tash më është e njohur. Por pritjet nganjëherë janë edhe iracionale, nëse e marrim parasysh faktin se segmentet e caktuara të politikave të jashtme të shteteve evropiane projektohen edhe mbi bazën e situatës në terren, konkretisht në Ballkan. Për rrjedhojë nëse dikush në Prishtinë, bie fjala, ka pritur më shumë nga vizita e Kancelares Merkel, do të duhej t’i analizonte veprimet paraprake të politikës kosovare ndaj qasjes dhe interesimit gjerman për të investuar tek ne. Shumë kush nuk e ka të qartë se në marrëdhëniet midis shteteve, përpos miqësisë dhe partneritetit parimor, ka edhe interes. Stasistikat flasin se Gjermania shumë më shumë ka investuar në Serbi se sa në Kosovë. Në shikim të parë kjo tingëllon absurde, por e vërteta është më kokëfortë se dëshirat tona. Nëse i hedhi një sy të kaluarës do të shohim se investimet në Kosovë ishin të kushtëzuara nga segmente të caktuara të mafias politike, e cila para interesit publik shihte interesin personal. Për pasojë shumë investues nga Evropa, specifkisht edhe nga Gjermania, pas përvojave të hidhura me njerëzit tanë që kërkonin hise në biznese ende pa startuar ato, transferonin kaptalin e tyre në vende të ndryshme të rajonit, kryesisht në Serbi, në Maqedoni të Veriut e gjetiu.
Tani, ajo çka iu intereson njerëzve të dinë, lidhet me atmosferën e biznesit që aktualisht mbretëron në Kosovë dhe sa kjo atmosferë mund të jetë e favorshme për investimet ehuaja, përfshi edhe ato gjermane. Kjo pyetje bëhet edhe më me peshë nëse kemi parasysh faktin se votuesit kosovarë në zgjedhjet e fundit parlamentare ia deleguan besimin një elite të re politike, e cila nga shumë kush me të drejtë u quajt “Qeveria e ndryshimit”. Sigurisht që është herët të nxirren konkluzione të detajuara mbi bilancin qeverisës të kësaj garniture që aktualisht është në pushtet, sepse ende nuk janë bërë 6 muaj, mirëpo kur plafoni i premtimeve është shumë i lartë, njerëzit kanë të drejtë të pyesin se pse ata vazhdojnë të ecin të kërrusur, dhe pse nuk mund ta drejtojnë trupin nga problemet e grumbullara tash e njëzetë vite. Nëse plafoni i premtimeve ka qenë shumë i lartë, atëherë është shumë e logjikshme që çdo kush ta ndiej pulsin e ndryshimit, pa patur frikën se ai plafon një ditë mund t’ua gërvish sërish kokat.
Qeveria e kryeministrit Kurti ka ardhur si një shpresë për të gjithë njerëzit e biznesit, të cilët presin që stili i vjetër i klientelizmit dhe monopolit të njerëzve të lidhur me pushtetin, të merr fund.
Qeveria e kryeministrit Kurti ka troktur në zemrat e gjithë atyre që me të drejtë presin që siguria sociale të mos kufizohet me mungesën e burimeve elementare për një jetë normale.
Të rinjtë që kryejnë universitete, një kohë të gjatë më tepër vizitonin vebfaqet e amabasadave të huaja, për të siguruar ndonjë vizë pune, se sa që interesoheshin për ndonjë shpallje a konkurs që do të ishte plotësim i ëndrrave të tyre për punësim. Ata e dinin se edhe nëse kishte shpallje të tilla, ato ishin të rezervuara paraprakisht për ushtarët partiak, të cilët regjistroheshin si të papunë, por vazhdonin të merrnin rrogë pa bërë asnjë ditë punë. Kushti i vetëm i tyre ishte të jesh militalnt partiak.
Nëse sot bëjmë një anketë me të rinjtë dhe me qytetarë strukturash të ndryshme lidhur me pritjet dhe zhgënjimet nga qeveria aktuale, do të vëreni se grupi i dytë i njerëzve është në rritje. Kjo edhe për faktin se shumë kush ka menduar se qeveria e re po vjen me shkop magjik për t’i korrigjuar deformimet e grumbulluara me vite, por jo pak mendojnë se qeveria e Kryeministrit Kurti nuk po shkëlqen ashtu siç e kanë paramenduar ata që e votuan. Ka plot njerëz që kanë vërejtje në mënyrën se si funksionojnë digasteret qeveritar, duke akuzuar zyrtarët e lartë se megjithatë nuk ndryshojnë shumë nga pararendësit e tyre. Jo pak njerëz janë të befasuar me disa zgjidhje kadrovike, ku sërish ka ardhur në shprehje nepotizmi dhe kriteri ekskluzivisht i përkatësisë partiake.
Kosova ka shumë më shumë probleme që priten të zgjidhen se sa e ka komoditetin për të rrëshqitur në shtratin e njëfarë vetkënaqësie. Problemi numër një tani për tani është refuzimi i politikave të Serbisë që e rrezikojnë sovranitetin e Kosovës. Por ky refuzim nuk mund të ndodhë pa një koordinim të mirëfillt në mes të Prishtins dhe Tiranës dhe pa konsolidimin e klasës politike në Kosovë. Ne mund të jemi të pakënaqur nga politikanët e huaj, përfshi edhe Kancelaren e Merkel, të cilët ende e trajtojnë Vuçiqin si partner të denjë për bashkëpunim, por është koha që gishtin t’ia drejtojmë vetvetes dhe të pyesim çka po ndodhë me mendësinë tonë politike? Çka po ndodhë me politikanët tanë, të cilët më pak kanë harmoni brenda e më shumë miqësi jashtë?
Nëse jemi më vetëkritik, duke apostrofuar të metat në mesin tonë, atëherë më lehtë do ta kemi t’i kuptojmë qëndrimet e diplomatëve të huaj. Parasegjitash Kosovës i nevoitet një partneritet më i fuqishëm me Shqipërinë, në mëynrë që të mos kemi disonanca kaq të theksuara siç i kemi tani lidhur me nismat rajonale të tipit BALLKANI I HAPUR. Kjo është e mundur vetëm nëse Kurti dhe Rama i lënë anash egocentrizmat e tyre dhe i shohin problemet nga prizmi i interesit nacional. Ballkani Perendimor shumë shpejt nuk do të jetë ky që është, prandaj edhe aletatët tanë nuk do t’i kenë interesimet e njëjta siç i kanë patur në fillim. Në rrethana të tilla Prishtina dhe Tirana duhet të përpilojnë një axhendë të përbashkët veprimi, e cila do t’i kishte dy funksione – e para, që të punohet me këmbëngulje në ruajtjen e partnerëve tanë strategjikë, sidomos SHBA-të dhe Gjermaninë dhe – e dyta, të demonstrohet një qëndrim më i fuqishëm politik kundrejt aspiratave të Serbisë për bosnjizimin e Kosovës.
Marrë nga gazeta “Epoka e Re”