Prishtinë, 12 qershor 2026 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar ashpër ndaj asaj që e ka cilësuar si “gjuhë të përsëritur akuzuese” të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, kundër medieve dhe gazetarëve në Kosovë.
Në reagim thuhet se të mërkurën në mbrëmje, në një intervistë televizive, Abdixhiku ka folur për “mercenarë medial”. Ai citohet të ketë thënë se ata “shumë lehtë japin një shpifje, papërgjegjësi, vetëm se ju rritet atje llogaria bankare prej sponsorizuesve, kundërshtarëve të ndryshëm”.
“Këto pretendime të zotit Abdixhiku janë një sulm frontal kundër medias, lirisë së medias dhe shprehjes në Kosovë. Një gjuhë e tillë me kualifikime si “mercenarë” është e papërgjegjshme, e papranueshme, shumë e rrezikshme dhe mund të paraqesë problem edhe në cenimin e sigurisë fizike të gazetarëve”, thuhet në reagimin e AGK.
AGK-ja i ka bërë thirrje Abdixhikut që “të heqë dorë nga këto spekulime dhe nëse ka fakte t’i denoncojë ato në organet përgjegjëse”.
Reagimi i plotë i AGK:
AGK-ja e dënon gjuhën e papranueshme dhe të rrezikshme të Lumir Abdixhikut kundër mediave dhe gazetarëve
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e dënon ashpër gjuhën e përsëritur akuzuese të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku kundër mediave dhe gazetarëve në Kosovë.
Abdixhiku në një intervistë televizive mbrëmë ka folur prapë për “mercenarë medial” duke thënë se “shumë lehtë japin një shpifje, papërgjegjësi, vetëm se ju rritet atje llogaria bankare prej sponsorizuesve, kundërshtarëve të ndryshëm”.
Këto pretendime të zotit Abdixhiku janë një sulm frontal kundër medias, lirisë së medias dhe shprehjes në Kosovë.
Një gjuhë e tillë me kualifikime si “mercenarë” është e papërgjegjshme, e papranueshme, shumë e rrezikshme dhe mund të paraqesë problem edhe në cenimin e sigurisë fizike të gazetarëve.
Është posaçërisht për keqardhje që këto deklarata të zotit Abdixhiku vijnë në kohën që ai është në opozitë, dhe me përkrahje prej 13 %.
AGK-ja e fton zoti Abdixhiku të heqë dorë nga këto spekulime dhe nëse ka fakte t’i denoncojë ato në organet përgjegjëse. AGK-ja gjithashtu e fton zotin Abdixhiku që bashkë me 14 deputetët e tjerë të partisë së tij në Kuvend, LDK të kontribuojë për një ambient të lirë medial.
(r.m.)