Prishtinë, 20 gusht 2024 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese komentet e veta mbi Ligjin për Komisionin e Pavarur për Media (KPM).
AGK-ja vlerëson se ky ligj duhet të shfuqizohet nga Gjykata Kushtetuese, pasi ai e cenon pavarësinë e KPM-së, të drejtën e lirisë së medias dhe parimin e barazisë gjinore.
“Procedura e ndjekur gjatë ligjbërjes dhe nenet që rregullojnë përbërjen dhe funksionimin e Komisionit, definicionin për mediat online dhe këshillin e ankesave janë në kundërshtim me Kushtetutuën e Kosovës dhe cenojnë, ndër të tjera, pavarësinë e KPM-së, të drejtën e lirisë së medias dhe parimin e barazisë gjinore”, thuhet në komunikatën për media të AGK-së.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e cilëson si “historik” rastin gjyqësor për Ligjin për KPM-në.
“Ky rast gjyqësor është historik për shkak se është hera e parë që Gjykata Kushtetuese trajton rast që ka të bëjë me lirinë e medias dhe aktgjykimi do të krijojë precedentë që do të udhëheqë Gjykatën për dekada me radhë. Ne shpresojmë që argumentet tona do të bindin Gjykatën që të shpallë ligjin kundërkushtetues”, thuhet në komunikatë.
Ligji për KPM-në është dërguar në Gjykatëb Kushtetuese nga partitë opozitare.
Miratimi i këtij ligji është kritikuar Këshilli i Evropës, Bashkimi Evropian, OSBE-ja dhe ambasadat e vendeve Perëndimore në Kosovë. Disa pika të ligjit janë vlerësuar se nuk janë në përputhje me standardet më të mira evropiane.
Ky ligj, në fazën e shqyrtimit në komisionet e Kujvendit, është kritikuar nga organizatat profesionale dhe organizatat ndërkombëtare të gazetarëve, si edhe nga ekspertët e fushës dhe nga shoqëria civile në Kosovë.
Ky ligj kritikohet më së shumti për mënyrën e definimit dhe rregullimit të mediave online, për përbërjen, emërimin, mandatin dhe shkarkimin e anëtarëve të KPM-së, për heqjen e kufizimit që ua pamundësonte partive politike dhe bashkësive fetare hapjen e televizioneve dhe radiove, etj.
Por, shumica parlamentare i ka shpërfillur kritikat dhe e ka miratuar ligjin, duke e koinsideruar atë si hap për mbrojtje nga shpifjet dhe lajmet e rreme.
(r.m.)