Ahmeti e quan historik vendimin që i hap rrugë anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE

Uashington, 17 korrik 2022 – Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka thënë se miratimi i propozimit francez për zhbllokimin e procesit të negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian është një moment historik për qytetarët e vendit.

Ai ka thënë se pretendimet se shumica parlamentare ka bërë lëshime përsa i përket gjuhës, historisë dhe identitetit maqedonas janë të pajustifikuara, kurse partitë e opozitës që ishin kundër miratimit të propozimit francez janë nxitur nga interesa politike.

“Mendoj që janë fare të pajustifikueshme, sepse gjuha maqedone njihet zyrtarisht nga Bashkimi Evropian, identiteti maqedonas njihet zyrtarisht nga Bashkimi Evropian, dhe këto i konfirmoi në fjalën e saj edhe përfaqësuesja evropiane në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Unë jam shumë i sigurtë që të gjitha përpjekjet kanë shkuar në atë drejtim që as të mos fyhet identiteti, as gjuha, sepse këto janë çështje të trashëguara nga e kaluara, janë çështje të padrejtësive shekullore që u kanë ndodhur popujve të vegjël dhe tani është momenti historik për bashkëqytetarët tanë maqedonas, për të legjitimuar përfundimisht në bashkësinë ndërkombëtare identitetin e tyre, gjuhën e tyre”, ka thënë Ahmeti në një intervistë për zërin e Amerikës.

Ahmeti ka thënë se nuk beson se në Maqedoninë e Veriut do të ketë përplasje ndëretnike për shkak se partitë shqiptare e mbështetën propozimin francez dhe për këtë morën kritika nga opozita maqedonase.

“Nuk mendoj që do të ketë përplasje ndëretnike, sepse gjërat deri më tani kanë shkuar mirë. Janë të kujdesshëm të dyja palët se vendit nuk i duhet një konflikt ndëretnik, vendit nuk i duhet përplasje mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Për këtë jemi të vetëdijshëm dhe për këtë ka shumë argumente që flasin se kjo nuk do të ndodhë”, ka thënë ai.

Ahmeti ka theksuar se të gjitha subjektet politike duhet të heqin dorë nga karta nacionaliste dhe të demonstrojnë përgjegjësi për të ardhmen e vendit. Ai ka thënë se BDI-ja është angazhuar për realizimin e të drejtave të shqiptarëve që u ishin mohuar.

“Duhet të demonstrojmë përgjegjësi dhe të ndërtojmë strategjinë për të ardhmen e vendit, për të ardhmen e gjeneratave. Ky ka qenë përcaktimi ynë dhe ne asnjëherë nuk jemi marrë me politika nacionaliste, por jemi marrë me zbatim dhe materializim të asaj që u takon shqiptarëve, të marrëveshjes paqësore të Ohrit, me avancimin e të drejtave të shqiptarëve, me avancimin e atyre të drejtave të mohuara apo të mbivotuara nëpër institucione, në emër të demokracisë, në emër të pluralizmit”, ka thënë Ahmeti.

(r.m.)