Shkup, 24 gusht 2023 – Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka deklaruar se opozita shqiptare në Maqedoninë e Veriut e ka keqpërdorur vizitën e kryeministrit Albin Kurti në Çair e Tetovë.
“Mirë është që të mos ketë ndërhyrje nga jashtë, sepse ju nuk i dini rrethanat në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ju nuk e dini konfiguracionin. E them këtë sepse edhe unë nuk e kam ditur derisa kam zbritur në Maqedoni të Veriut. Nuk i kam ditur detajet në këtë shtet. Sa shqiptarë janë dhe ku jetojnë ata. Vizita këtu mbase mund të ketë edhe pak sherr nga partitë opozitare për të promovuar dhe për ta ngritur veten e tyre, përmes kryeministrit të Kosovës. Dhe, si duket, në këtë drejtim kanë pasur sukses. Për mendimin tim, është keqpërdorim i vizitës së kryeministrit të Kosovës. Me të dëgjuar kreun e Komunës së Tetovës se vizita e zotit Kurti është bërë për të mbështetur opozitën, mua kjo më bëri shumë përshtypje dhe nuk mora ndonjë iniciativë për të bërë takime shtesë në Kosovë, e në veçanti me ekzekutivin e Kosovës”, ka theksuar Ahmeti në një intervistë për RTK.
Ahmeti ka deklaruar se Qeveria e Kosovës ka kërkuar që ai ta presë në takim ministrin Liburn Aliu, për të diskutuar për çështjen e rrugës Tetovë-Prizren. Ai ka thënë se Korridori 8 dhe aksi rrugor Tetovë-Prizren kanë qenë në programin qeveritar dhe në programin zgjedhor të BDI-së dhe ka shtua se “kjo nuk bëhet me shoqata humanitare, por me marrëveshje mes shtetesh”.
Duke folur rreth reagimeve për emërtimin e rrugës “Adem Demaçi” në komunën e Çairit, në Shkup, Ahmeti ka thënë se Kryeministri dhe Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut janë ngutur me reagimet e tyre.
“Jo njëherë opozita maqedonase ka kërkuar nga unë që t’i shajë ata, që atyre tu rritet rejtingu te komuniteti maqedonas. Por, unë nuk e kam bërë këtë.
“I kam thënë presidentit dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut mos u ngutni se ju keni rënë në grackën që është përgatitur. Jam i bindur që as kryeministri e as presidenti i Maqedonisë së Veriut, por as kryeministri Kurti, nuk e kanë ditur këtë dhe kjo situatë mori dimension ndërshtetëror, gjë që nuk është e dobishme për Kosovën, sepse kështu hapet rrugë që edhe Vuçiqi të vijë e të thotë: ‘unë po e bëj një tunel që e lidh Rudarin me një fshat në Serbi”, ka theksuar ai.
Ahmeti ka thënë se ai ka mbajtur në vazhdimësi linjat e komunikimit shtetëror me shtetin e Kosovës dhe të Shqipërisë dhe se ai asnjëherë nuk është involvuar në çështje të brendshme të partive politike, ai në Kosovë dhe as në Shqipëri.
(r.m.)