
(Fjalë e mbajtur me rastin e përurimit të veprave të akademik Muhamedin Kullashit në gjuhë të huaja)
Akademik Muhamedin Kullashi është një personalitet i shquar në fushën e shkencës, kulturës dhe diplomacisë. Ai është autor i më se 20 librave shkencorë dhe i shumë artikujve shkencorë e profesionalë, të botuar në revista shkencore e profesionale, kryesisht në botën e jashtme, në të cilat ka trajtuar çështje të ndryshme nga historia e filozofisë, filozofia politike, etika, sociologjia, politika dhe diplomacia, Ai është autor i disa trajtesave për çështje të identiteteve, mendimit politik modern, etj.
Disa libra shkencorë dhe shumë trajtesa nga fushat e interesimit të tij i ka botuar edhe në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Po ashtu ka botuar në Francë, ku ka qenë profesor i filozofisë bashkëkohore frenge për më se tri dekada, të cilat janë pak të njohura për opinionin tonë. Ka botuar edhe në gjuhën spanjole, në gjuhën angleze, në gjuhën gjermane, në gjuhën kroate, etj. Është autor në shumë botime të veçanta, krahas emrave më të mëdhenj të dijes dhe intelektualëve europianë e amerikanë, përfshirë nobelistë.
Që në vitin 1992, profesor Kullashi mori pjesë aktive në themelimin e Komitetit të Kosovës në Paris, pranë revistës prestigjioze të shkencave shoqërore “Esprit”, së bashku me intelektualë të shquar francezë, si: Olivier Mongin, Antoine Garapon, Pierre Hasner, Pascal Brucner, André Glucksmann, Véronique Nahoum-Grapp, Edgard Morin, Claud Lefort etj.
Komiteti për Kosovën, i cili zhvilloi aktivitete të shumta deri në vitin 2015, ka luajtur një rol të rëndësishëm në sensibilizimin e çështjes së Kosovës në Francë, veçanërisht në vitet e 90-ta, në kohën e agresionit të Serbisë ndaj Kosovës.
Kullashi ishte ambasador i Republikës së Kosovës në Francë nga 2008-2016. Gjatë kësaj periudhe ai kishte takime me tre presidentë të Francës: J. Chirac, Nicola Sarcosy dhe Francois Holland, Në vitin 1999, gjatë kohës së bombardimeve të NATO-së mbi caqet ushtarake e policore serbe, ai, u takua dy herë me presidentin Chirak. Bashkë me intelektualë më të respektuar në Paris, ai argumentoi domosdoshmërinë e ndërhyrjes me forcë të botës demokratike për të parandaluar krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe aktet gjenocidale të shtetit serb ndaj shqiptarëve në Kosovë.
Kullashit i takojnë merita të mëdha edhe për anëtarësimin e Kosovës në botën e Frankofonisë, në Akademinë e Botës dhe në akademi franceze “Academie des inscriptions et belles-lettres” me traditë më se 360-vjeçare.
Ambasadori Kullashi e shfrytëzoi autoritetin e tij edhe në përpjekjet për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. Ai u takua me më shumë se 40 ambasadorë të vendeve të ndryshme, kryesisht të vendeve afrikane, për të paraqitur argumentet e tij për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë të OKB-së. Pë fat të keq, pranimi i Kosovës në këtë organizatë dështoi për vetëm tri vota, për shkak të paaftësisë së Qeverisë së Kosovës që të fitojë mbështetjen e vendeve anëtare, madje edhe të disa vendeve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
***
Sot po e përurojmë një pjesë të punës intensive disadekadëshe të profesor Kullashit, disa nga shqyrtimet dhe trajtesat e tij shkencore. Por, ky përurim është më i veçantë – sepse përurohen disa nga publikimet e tij në gjuhë të huaja dhe sepse auditori i këtij përurimi i përket kryesisht botës akademike dhe shkencore. Ky botim ua mbyll gojën kritikëve mendjeshkurtër ose dashakëqinjve që i mohojnë kontributet e anëtarëve të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, sidomos ato në gjuhë të huaja.
Kullashi, me shkrimet dhe paraqitjet publike të tij në Francë, sidomos në qarqet intelektuale dhe akademike, pati një ndikim të madh në afirmimin e çështjes së Kosovës në botën franceze. Zëri i tij u dëgjua edhe në tubime të ndërkombëtare, si p.sh. në Maison de l’Europe de Paris, etj.
Çështjen e Kosovës e afirmoi edhe në intervistat e tij të shumta për medie të ndryshme në gjuhën fringe, si France inter, France culture, Radio France International, Radio Vatikani, etj. Si edhe për disa gazeta e revista të ndryshme, si: Le Parisien, Le Monde, La Libération, Le Figaro, La Croix, etj.
Miqtë francezë, njohës të Ballkanit, shpeshherë e pyesnin profesor Kullashin: “A ke frikë se shërbimet sekrete serbe-jugosllave mund të të likuidojnë?”, ndërsa ai u përgjigjej: “Po, por kjo mund të ndodhë vetëm nëse e lejon policia franceze”.
Miku dhe kolegu im Michel Roux, i cili e bëri doktoratën shtetërore për Shqiptarët në Jugosllavi (Les Albabanis en Yougoslavie, 1992), shpesh më pyeste: “A frikësohet profesor Kullashi nga policia sekrete serbe?”. E Kullashi dëshmoi se intelektualët e vërtetë nuk frikësohen. Injorantët kanë frikë.
Akademik Muhamedin Kullashi është formuar si filozof dhe intelektual në Zagreb, në shkollën e filozofisë, te filozofë të nivelit europian. Aty e mbrojti temën e doktoratës, të cilën ia botoi Instituti i Filozofisë në Zagreb.
Kullashi shquhej për analizat e tij mbi raportin e intelektualëve serbë me nacionalizmin agresiv gjatë shpërbërjes së përgjakshme të ish-Jugosllavisë. Në këtë botim janë përmbledhur publikimet e tij në gjuhë të huaja, kryesisht në frëngjisht. Mendoj se, për shkak të kontekstit të kohës, është për t’u vlerësuar sidomos libri i tij “Humanisme et haine: Les intelectuelles et le nationalisme en ex-Yougoslavie” (Humanizmi dhe urrejtja: Intelektualët dhe nacionalizmi në ish-Jugosllavi). Ky libër është një analizë kritike e shoqërisë, e cila dominonte në shkollën filozofike të Korçullës të Kroacisë, e cila, nga viti 1964 deri në vitin 1974, mblidhten filozofët e njohur jugosllavë dhe evropianë, si: Jurgen Habermas, Herbert Markuce, Eric From, Henry Lefebvre, Rudi Supek, Milan Kangërga, Gajo Petrović, Predrag Vranicki, etj.
Kullashi e vështroi në mënyrë shumë kritike qasjen e disa folozofëve serbë (Mihailo Marković, Svetozar Stojanović, Ljuba Tadić, etj) që në vitet ’80 dhe ’90 dolën në mbështetje të nacional-romantizmit në Serbi, duke i paraprirë edhe hartimit të “Memorandumit” të Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve, SANU. Kullashi theksonte se intelektualët duhet ta kundërshtojnë urrejtjen në baza etnike, fetare, racore etj., t’i mbrojnë vlerat universale dhe të jenë kritikë ndaj pushteteve dhe ideologjive nacionaliste e nacional-shoviniste. Ai i afirmoi vlerat humane univerzale – të drejtat dhe liritë e njeriut, demokratizimin e shoqërisë dhe të proceseve demokratike.
Kullashi, në veprën e tij, i kundërshton trajtat autoritare të qeverisjes dhe i afirmon lirinë e shprehjes. Ishte shumë kritik ndaj censurës dhe të gjitha trajtave të kufizimit të lirisë së shprehjes. Ai argumenton se censura është produkt i sistemeve totalitare dhe mendësive totalitariste. Përvoja e ideologjive totalitarise ka treguar se censurues janë dogmatët dhe injorantët…
Akademik Muhamedin Kullashi i nxori 10 numra të revistës “Studime shoqërore”, sipas modelit të publikimeve shkencore më kredibile.
Akademik Kullashi shquhet edhe si përkthyes i shumë veprave nga gjuha frange në gjuhën shqipe. Ai I ka përkthyer veprat e filozofëve më të mëdhenj francezë, si: Rene Decart, Voltair, Jean Paul Sartr, Deni Dideros, Henry Levebvrit, Franz Fanon, Claud Lefort, Jean-Francois Lyotar, Erich From, Emmanuel Lévinas, etj. Të gjitha përkthimet janë të shoqëruara me parathënie si tekste shkencore-filozofike.
Me këtë rast do t’ii veçoja trajtesat lidhur me çështjen e Kosovës dhe me shqiptarët, vështruar në kontekst të politikës agresive serbe, të cilën Kullashi e ka trajtuar dhe demaskuar në nivele ndërkombëtare, me argumente të pakontestueshme. Për këtë qëllim ai i ka shfrytëzuar edhe të dhënat e organizatave dërkombëtare humanitare dhe të të drejtave të njeriut, si: “Médecins sans frontières” (Mjekët pa kufij); “Médecins du Monde” (Mjekët e Botës); “Amnesty International”, etj.).
Botimet e Kullashit në gjuhë të huaja, kryesisht në gjuhën frenge dhe spanjole:
1.Humanisme et haine. Les intellectuels et le nationalisme en ex-Yougoslavie (Humanizmi dhe urrejtja. Intelektualët dhe nacvionalizmi në ish-Jugosllavi), L’Harmattan, Paris, 1998.
2.Effacer l’Autre (Të heqësh tjetrin, l’Harmattan, Paris, 2006.
3.“Humanismo y Odio, Cali-Colombie, Unibersidád del Válle, Colombia, Universidad del Valle, 2004.
Artikuj dhe shkrime në publikime të veçanta, bashkë me autorë francezë, anglezë, gjermanë, italianë e spanjolë, në të cilat trajtohen: pushtetet dhe sistemet totalitare, fenomeni i nacionalizmit (kryesisht serb), të drejtat dhe liritë e njeriut, format dhe trajtat e krimeve kundër njerëzimit, aktet gjenocidale etj.:
- Vukovar, Sarajevo, Seul, Paris, 1993.
- La République, l’Europe et l’Universel, (Republika, Evropa dhe Univerzalja) Belfort, 1993.
- Sur l’ex-Yougoslavie (Mbi ish-Jugosllavinë), Collège International de Philosophie, Paris, 1993.
- L’Ex-Yougoslavie en Europe (Ish-Jugosllavia në Evropë), L’Harmattan, Paris, 1996.
- Extrémismes en Europe (Ekstremizmat në Evropë), C.E.R.A., Paris, 1997 dhe 1998.
- Le Kosovo. Un drame annoncé (Kosova. Një dramë e paralajmëruar), Michalon, Paris, 1999.
- De la question albanaise au Kosovo (Mbi çështjen shqiptare në Kosovë), Editions Complexes, Bruxelles, 1999.
- Parler des camps, penser les genocides (Të flasësh për kampet, të mendosh për gjenocidet), Albin Michel, Paris, 1999.
- Lettres aux générations futures (Letra për brezat e ardhshme), UNESCO, Paris, 1999, botimi në gjuhën franceze dhe angleze. (Në këtë libër, bashkëautorë janë edhe pesë laureatë të çmimit Nobel: Nadine Gordimer, Tanella Boni, Muc Montanjier, Rita Levy-Montalcini, Adolfo Perez Eskirel, por edhe Richard Rorti dhe Fernando Savater).
- Informe sobre el conflicto y la guerra de Kosovo, Ediciones del oriente y del mediterraneo, Madrid, 1999.
- Les désastres fondateurs (Mynxyrat themeluese) CRINI, Université de Nantes, 2002.
- Kosovo, six siècles de mémoires croisés (Kosova, gjashte shekuj të kujtesave te kryqëzuara), INALCO, Paris, 2001.
- Ex-Yougoslavie: Une Europe du Sud-Est en reconstruction (Ish-Jugosllavia: Në Evropë juglindore në rindërtim), L’Harmattan et Forum IRTS, 2002.
- Confini di culture, Fano (Itali), 2002.
- The Case for Kosova (Çështja e Kosovës), Anthem Press, London & New York, 2006.
- Nationalismes et religions dans les Balkans occidentaux (Nacionalizmat dhe religjionet në Ballkanin perëndimor), Fondation Robert Schuman, Paris, 2007.
- Les intellectuels et les médias: dialogues est-ouest sur la démocratie pour les Balkans (Intelektualët dhe mediat: dialogë lindje-perëndim për demokracinë në Ballkan), l’Université de Montréal (Kanada), 2006.
Prishtinë, 24 mars 2026
(Publikuar me shkurtime)