AKP e merr në administrim resortin “Rajska Banja” në Banjskë, ia jep me qira Ministrisë së Brendshme

Prishtinë, 19 dhjetor 2023 – Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) e ka marrë nën administrim kompleksin e banjës “Rajska Banja” në Banjskë të Zveçanit, në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Drejtori menaxhues i kësaj agjencie, Arben Limani, ka thënë se ky kompleks, i cili është pronë e Ndërmarrjes Shoqërore “Trepça Standard”, e cila është pjesë e Kombinatit “Trepça”, i është dhënë me qira Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Bordi i drejtorëve [të AKP-së], me kërkesë të Ministrisë së Punëve të Brendshme [të Kosovës], për nevoja dhe interes publik të ministrisë, ka marrë vendim që këto objekte të jepen me qira për shërbime të MPB-së. Pra, për shërbimet e tyre publike për të cilat ne nuk kemi ndonjë informatë”, ka thënë Limani për Radion Evropa e Lirë.

Ai ka treguar se ky vendim është marrë në mbledhjen e Bordit të Drejtorëve, të mbajtur më 14 dhjetor, ndërsa marrja në administrim nga AKP-ja është marrë me asistimin e policisë.

Limani ka treguar se ky kompleks është shfrytëzuar në mënyrë të paligjshme qysh prej vitit 1999 dhe AKP-ja nuk ka pasur fare qasje. Ai ka thënë se një kohë të gjatë AKP-ja ka provuar të kontaktojnë me personat apo entitetet që e kanë shfrytëzuar këtë pronë, por nuk kanë marrë përgjigje, andaj kanë kërkuar asistencën e Policisë së Kosovës që ta marrin nën administrim.

“Pronat e kompleksit në Banjskë janë pronë e Ndërmarrjes Shoqërore ‘Trepça Standard’, që e ka selinë në Mitrovicë të Veriut. Ajo është në emër të kësaj njësie [ndërmarrjeje] dhe objekti që ka ekzistuar aty. Sipas të gjitha gjasave, dikush e ka rinovuar objektin, por ne nuk e dimë se kush, sepse atje kemi pasur qasje mjaft të kufizuar. Kurse tash, kur kemi qasje atje, kemi tentuar të kontaktojmë me personat apo entitetet që e kanë shfrytëzuar atë, në mënyrë që të kuptojmë se mbi çfarë baze ligjore po e shfrytëzonin”, ka thënë Limani.

Ai ka thënë se AKP-ja është njoftuar nga policia se në këtë kompleks janë zhvilluar aktivitete të paligjshme.

Qeveria e Serbisë ka reaguar menjëherë pas marrjes së kompleksit “Rajska Banja” në administrim të AKP-së.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, e ka cilësuar si veprim “ilegal” aksionin e AKP-së për marrjen nën administrim të kompleksit.

Ai ka thënë se pjesëtarët e Policisë së Kosovës e kanë bastisur kompleksin dhe i kanë dëbuar punëtorët që kanë punuar në mirëmbajtjen e hotelit dhe të restorantit që janë pjesë e kompleksit.

Petkoviq e quan këtë veprim të AKP-së si sulm ndaj “të drejtave kolektive të popullit serb” dhe se shkelje të “të drejtës së pronës”.

“Natyrisht, për këtë sulm do ta informojmë bashkësinë ndërkombëtare, duke përfshirë edhe ndërmjetësit në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, ka thënë Petkoviq.

Ka reaguar edhe Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila kontrollohet nga Beogradt zyrtar. Në reagimin e saj thuhet se “Qeveria e Albin Kurtit e rrëmbeu kompleksin në Banjskë para syve të komunitetit ndërkombëtar”. Sipas saj, ky kompleks është ndërtuar me para të Qeverisë së Serbisë.

“Kompleksi ‘Rajska Banja’ është ndërtuar ekskluzivisht me para të Qeverisë së Serbisë, e cila ka investuar përmes Zyrës për Kosovën. Ky kompleks është hapur në vitin 2019 dhe institucionet e Kosovës nuk kanë investuar asnjë dinar, prandaj nuk kanë bazë ligjore për pretendimet se janë pronarë të kompleksit”, thuhet në reagimin e Listës Serbe

(r.m.)