Prishtinë, 3 mars 2026 – Kanë mbetur më pak se 30 orë deri në skadimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit apo Presidentes së ardhshme të Kosovës, por një marrëveshje politike, e cila është e domosdoshme, nuk po shihet ende në horizont.
Tri partitë kryesore politike – Lëvizja Vetëvendosje (LVV) në pushtet dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në opozitë, sipas sjelljes së tyre të deritashme, nuk janë të gatshme për një marrëveshje që do ta zhbllokonin procesin e zgjedhjes së kreut të ri të shtetit. Sipas deklaratave publike të udhëheqësve të tyre, secila prej këtyre tri partive synon të përfitojë nga marrëveshja eventuale midis tyre.
E megjithatë, përpjakjet për arritjen e një marrëveshjeje kanë vazhduar. Albin Kurti, në cilësinë e kryetarit të LVV-së, partisë më të madhe në kuvend, ka vazhduar takimet me aktorë që mund të ndihmojnë procesin e zgjedhjes së presidentit.
Të hënën në mbrëmje ai është takuar me presidenten aktuale, Vjosa Osmani, e cila ka shprehur interes që ta mbajë këtë pozitë edhe një mandat tjetër. Asnjëra palë nuk ka treguar se për çfarë kanë biseduar kontretisht – për procedurat, për mundësitë e sigurimit të kuorumit për votim dhe të votave të nevojshme, për ndonjë kandidat të caktuar apo për kandidaturën eventuale të saj.
Vjosa Osmani, sipas konfiguracionit aktual politik, nuk mund të sigurojë votat e nevojshme për rizgjedhje pa mbështetjen e LVV-së dhe të ndonjërës nga dy partitë opozitare, PDK-së dhe LDK-së. Dhe, sipas deklaratave publike të liderëve të tyre, ajo nuk është kandidatja që do të fitonte mbështetjen e nevojshme.
Por, çështja është ende e hapur dhe Kurti, siç po duket, po përpiqet të sigurojë së paku votat e LDK-së për ta përmbyllur me sukses procesin e zgjedhjes së kreut të shtetit, në mënyrë të të shmangë zgjedhjet e parakohshme.
Të martën në mëngjes, Kurti është takuar përsëri, për herë të tretë, me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun. Kurti e ka cilësuar si “kontruktiv” takimin me Abdixhikun, por nuk ka thënë asgjë për çështjen që kanë diskutuar. Megjithatë, ai ka lënë të kuptohet se ende ka shpresë për një marëveshje me LDK-në.
“Takimi shkoi në atmosferë konstruktive, mirëpo kur ka diçka të re do të ju njoftojmë. Ende nuk i kemi zgjidhje, mirëpo do të ju njoftojmë së shpejti”, ka thënë Kurti.
Nënkryetari i LDK-së, Kujtim Shala, i cili ka marrë pjesë në takim, ka thënë se aty nuk është folur për emra të kandidatëve të mundshëm. Ndërkaq, shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, e cila gjithashtu ka marrë pjesë në takim, ka thënë se LDK-ja mund të “kontribuojë për t’i shmangur zgjedhjet”.
Duke se “topi” tani është në terrenin e LDK-së. Grupi parlamentar i kësaj partie është mbledhur menjëherë për të duskutuar për këtë temë dhe, eventualisht, për të marrë një vendim.
Të hënën, pas takimit të dytë me Kurtin, Abdixhiku ka përsëritur se kjo parti do të preferonte një president konsensual, por ka pranuar se nuk ka “vija të kuqe” për cilindo kandidat për president dhe, siç është shprehur, “aq më pak për Presidenten Osmani”.
E kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka kërkuar mbështetjen e LVV-së dhe LDK-së për një kandidat të partisë së tij. Ai e cilësuar të “shëndetshme” për demokracinë në Kosovë një president i propozuar nga opozita, saktësisht nga PDK-ja, derisa LVV-ja e ka kryeministrin dhe kryetarin e kuvendit.
Sidoqoftë, të gjithë thonë se janë kundër zgjedhjeve të tjera të parakohshme. Në arsyetimin e tyre më së shpesdhti dëshohet shprehja “qytetarët janë lodhur nga zgjedhjet”…
(r.m.)