Prishtinë, 13 qershor 2025 – Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë ndaj deputetit nga radhët e Listës Serbe, Sllavko Simiq, lidhur me sulmet ndaj gazetarëve në Leposaviq qershorin e vitit 2023.
Ai akuzohet për veprën “pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”.
Sipas njoftimit, Simiq më 16 qershor 2023 gjatë protestave kundër vizitës së ministrit, tashmë në detyrë të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, “me dashje ka marrë pjesë në turmën e mbledhur prej më tepër se tetë persona, ashtu që në momentin që nga objekti i komunës së Leposaviqit del ministri E.K., personat civil të maskuar fillojnë të gjuajnë shok bomba në drejtim të veturës zyrtare, dhe pasi që kalon vetura zyrtare, i pandehuri u jep urdhër turmës duke thënë që të i sulmojnë mediat”.
Sipas Prokurorisë, sulmi ka vazhduar në drejtim të gazetarëve fillimisht me shok bomba, pastaj turma i ka goditur me grushte, shqelma, mjete të forta, tulla betoni, ngjyra e gjësende tjera dhe gjatë këtij sulmi kishin pësuar lëndime të rënda trupore dy gazetarë.
“Ndërkaq i pandehuri tjetër U.V., si i përfshirë drejtpërdrejtë në përdorimin e forcës ndaj gazetarëve të Republikës së Kosovës, akuzohet për kryerjen e veprave penale ‘Sulmi’ dhe ‘Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi’”, u tha në njoftim, ku u shtua se Prokuroria i kërkon gjykatës që të dy të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.
Në orët e vona të 13 qershorit, Lista Serbe reagoi për këtë vendim, duke e cilësuar aktakuzën si “të pabazë”.
Kjo parti – që është subjekti më i madh i serbëve në Kosovë dhe ka mbështetjen e Beogradit – tha se Simiq, gjatë incidentit të vitit 2023, “siç është konfirmuar edhe përmes dëshmive, videove dhe deklaratave të gazetarëve shqiptarë, Simiq ka vepruar në mënyrë të qetë dhe të përgjegjshme, duke tentuar që të mbrojë të gjithë të pranishmit, përfshirë ekipet mediale”.
“Është e dukshme që veprime të tilla janë për të heshtur përfaqësuesit legjitimë serbë, për të kriminaliziar luftën politike serbe dhe për të zhvendosur vëmendjen nga burimet reale të paqëndrueshmërisë në veri”, tha Lista Serbe, duke akuzuar Qeverinë në detyrë të Albin Kurtit se po “abuzon me institucionet në funksion të përndjekjes politike dhe përballje me serbët që nuk pajtohen me imponime dhe padrejtësi”.
Sulmi i 16 qershorit të vitit 2023 ishte dënuar nga politikanët vendorë dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Më 2023, në Leposaviq por edhe në tri komunat e tjera në veri të Kosovës – të banuara me shumicë serbe – gazetarët ishin cak i disa sulmeve dhe dhunës, teksa ata po mbulonin protestat e serbëve lokalë kundër kryetarëve të zgjedhur shqiptarë të komunave.
Udhëheqësit serbë të këtyre komunave ishin tërhequr paraprakisht dhe më pas partitë serbe dhe serbët lokalë kishin bojkotuar zgjedhjet e mbajtura në prill, kur u zgjodhën kryetarët shqiptarë.
Protestat nisën kur krerët e rinj komunalë shkuan në zyrat e tyre për të nisur punën. Tensionet në veri kulmuan me përplasjen mes protestuesve dhe pjesëtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, në Zveçan më 29 maj.
Gjatë përplasjes në Zveçan u lënduan dhjetëra ushtarë të KFOR-it dhe protestues.