Prishtinë, 12 tetor 2026 – Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se ndaj Milojko Gjorgjeviqit ka ngritur aktakuzë për krime lufte kundër popullsisë civile në komunën e Zveçanit.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, Gjorgjeviq dyshohet se gjatë luftës në Kosovë, në bashkëkryerje me pjesëtarë të forcave policore serbe, ka kryer vrasje, dëbime masive, trajtim çnjerëzor dhe shkatërrim të pasurisë në Komunën e Zveçanit. Krimet për të cilat ngarkohet ai janë kryer gjatë periudhës 1998–1999.
Gjorgjeviq, i cili ka qenë komandant i Repartit Policor rezervë në Zveçan, dyshohet se ka vepruar nën përgjegjësi individuale dhe komanduese.
Aktakuza përfshin vepra penale si vrasja, trajtimi çnjerëzor, frikësimi, shkatërrimi i pasurisë, dëbimi masiv dhe spastrimi etnik i popullsisë civile.
Një nga ngjarjet e përshkruara në aktakuzë lidhet me 29 prillin e vitit 1999, kur këta pjesëtarë të Ushtrisë Jugosllave dhe të policisë serbe, morën pjesë në një operacion për rrethimin e një fshati në Komunën e Zveçanit.
“Po ashtu, më 29 prill 1999, i pandehuri me pjesëtarë të tjerë të paindentifikuar, të organiuzuar në formacione të strukturuara, të uniformuar, pjesëtarë të Ushtrisë Jugosllave dhe të policisë serbe, kishte ndërmarrë operacion për rrethimin e fshatit në Komunën e Zveçanit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Gjatë këtij operacioni, sipas aktakuzës, janë vrarë tre civilë dhe janë rrëmbyer shtatë të tjerë. Prokuroria bën të ditur se trupat e gjashtë prej personave të rrëmbyer janë gjetur në varrezat e fshatit Suhodoll, ndërsa trupi i viktimës së shtatë nuk është gjetur ende.
Rasti i është kaluar për shqyrtim Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndërsa i pandehuri ndodhet në paraburgim.
Më 16 maj 2025 është aprovuar kërkesa e Prokurorisë Speciale për t’ia caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh Milojko Gjorgjeviqit, i cili ishte arrestuar nën dyshimin për pjesëmarrje në vrasje, dëbime me forcë, plaçkitje, tortura dhe rrahje sistematike të civilëve shqiptarë në Komunën e Zveçanit.
Prokuroria e pati hedhur poshtë kërkesën e palës së akuzuar për mbrojtje në liri, teksa avokati i të pandehurit pati paralajmëruar ankesë kundër vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
(r.m.)