Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetueses krijon momentum të ri në Kosovë, seanca konstituive e Kuvendit do të vazhdojë të dielën

Prishtinë, 27 qershor 2025 – Deputetët e zgjedhur janë pajtuar ta shtyjnë vazhdimin e sotëm të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës për të dielën, më 29 qershor pas aktgjykimit të Gjykata Kushtetuese, e cila një ditë më parë i detyroi ata ta përmbyllin konstituimin e Kuvendit brenda 30 ditëve.

Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, tha se ky vendim u mor pas një takimi konsultues mes tij dhe përfaqësuesve të të gjitha partive parlamentare.

Sipas tij, ky vendim vjen gjithashtu pasi lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ftoi për të shtunën një takim të përbashkët të liderëve të partive parlamentare, në përpjekje për ta arritur një konsensus politik për konstituimin e Kuvendit.

Procesi i konstituimit të Kuvendit u bllokua për shkak se asnjë parti nuk e fitoi shumicën e nevojshme për të qeverisur e vetme dhe për shkak se ajo nuk arriti të marrë mbështetjen e asnjërës nga partitë që në mandatin e kaluar ishin në opozitë.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, me aktgjykimin e publikuar të enjten pasdite, krijoi një momentum të ri në procesin e konstituimit të Kuvendit. Ajo tha se Kuvendi i Kosovës duhet të konstituohet sa më shpejt e më së largu brenda 30 ditësh, por nuk tha se si duhet të veprohet në rast se Kuvendi nuk konstituohet as pas këtij afati.

 Gjykata theksoi se votimi është obligim kushtetues i deputetëve. Ajo tha se deputetët janë të obliguar të marrin pjesë në seancën konstituive dhe të votojnë “për”, “kundër” ose “abstenim”, në bazë të vullnetit të tyre të lirë. Por, në aktgjykim, nuk tha shprehimisht nëse votimi duhet të bëhet në mënyrë të hapur apo në mënyrë të fshehtë. Lidhur me këtë çështje, Kushtetuesja iu referua praktikës së deritashme të zgjedhjes së kryetarit dhe të nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës, votimi për të cilët është bërë gjithnjë në mënyrë të hapur.

Për këtë arsye, LVV, në njërën anë, dhe tri partitë tjera shqiptare (PDK, LDK dhe AAK) në anën tjetër, e interpretuan në mënyra të ndryshme aktgjykimin e Kushtetueses. Sipas LVV-së, Gjykata Kushtetuese nuk e ka vlerësuar si jokushtetues votimin e fshehtë në Kuvend, ndërsa sipas tri partive të tjera, Kushtetuesja e ka kualifikuar si jokushtetues votimin e fshehtë.

Deputetja Donika Gërvalla nga grupi parlamentar i LVV-së i akuzoi partitë që ishin në opozitë për bllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit. Ajo tha se këto parti e dëshmuan qëndrimin e tyre destruktiv edhe me intepretimin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë process.

“Gjykata Kushtetuese, në atkgjykimin e saj, e tha qartë atë që e ne e kemi thënë e pëersëritur shumë herë, se votimi është obligim kushtetues i deputetëve”, tha ajo.

Gërvalla i hodhi poshtë pretendimet e partive që kanë qenë në opozitë për ndryshim të rendit të ditës së seancës pas dështimit të votimit të hapur për kandidaten e LVV-së për kryetare të Kuvendit.

“Nuk ka asnjë ndryshim të rendit të ditës. Në pikën e dytë ka qenë dhe ka mbetur ‘zgjedhja e kryetarit të Kuvendit’. Opozita po dezinformon qëllimisht”, tha ajo.

Sipas saj, “problemi i vetëm i opozitës është qeveria e re e udhëhequr nga Albin Kurti”.

Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, tha LVV-ja nuk po bën asnjë veprim për zhbllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit. Ai tha se nuk beson që kjo parti ka vullnet për zhbllokimin e situatës, duke qenë se vazhdon ta mbrojë insistimin për votim të fshehtë, ndonëse Kushtetuesja, siç u shpreh ai, ky votim është jokushtetues.

Sipas Grudës, zgjidhje e ngërçit është kthimi në votim të hapur pasi, sipas tij, këtë frymë e përfaqëson edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese.

Edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e akuzoi LVV-në se nuk është e interesuar për zhbllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit.

Bajrami tha se Kosova është në këtë ngërç politik “për shkak të kokëfortësisë dhe insistimit të Vetëvendosjes” në emrin e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit.

Sipas saj, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, është duke ua pamundësuar deputetëve të LDK-së, që të votojnë.

(r.m.)

Comment

*