Hagë, 11 korrik 2024 – Më 16 korrik, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, do të shpallet aktgjykimi kundër ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, që akuzohet për krime lufte.
Shala ishte arrestuar në mars të vitit 2021 në Belgjikë dhe ishte transferuar në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në prill të atij viti.
Gjykimi ndaj tij nisi më 21 shkurt të vitit 2023 dhe në këtë proces gjyqësor morën pjesë tetë viktima. Ai është deklaruar i pafajshëm për katër pikat e aktakuzës: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.
Sipas aktakuzës, pretendohet se në mes 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, Pjetёr Shala dhe disa ushtarë, policë dhe roje të UÇK-së “morën pjesë në ndalimin arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe në një rast në vrasjen e paligjshme të një të ndaluari në fabrikën e metalit në Kukës, në veri të Shqipërisë”.
Në aktakuzë thuhet se viktima të krimeve, të cilat pretendohet se i ka kryer Shala, ishin persona që dyshohej se bashkëpunonin me Serbinë ose nuk e përkrahnin UÇK-në. Aty pretendohet se të ndaluarit në një fabrikë metali në Kukës u keqtrajtuan rregullisht, qoftë fizikisht apo psikologjikisht.
Sipas aktakuzës, Shala thuhet se “kontribuoi në mënyrë të konsiderueshme në krimet e pretenduara, përmes pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë dhe mosmarrjes së masave adekuate për të mundësuar trajtimin njerëzor të të ndaluarve në fabrikën e metalit në Kukës, dhe duke ndihmuar dhe inkurajuar kryerjen e krimeve për të cilat u ngritën akuzat”.
Deri më tani, Dhomat e Specializuara, që njihen edhe si Gjykata Speciale, kanë shqiptuar dënim për pengim të drejtësisë ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati, të cilët vitin e kaluar u liruan me kusht.
Ndërkaq, aktualisht në Dhomat e Specializuara është duke u zhvilluar një rast gjyqësor, ai ndaj ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – që akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
(Radio Evropa e Lirë)