Tiranë, 13 shkurt 2026 – Aktorja Anila Bisha tha se imazhi i saj u përdor pa lejen e duhur si fytyrë e “Diellës”, “ministres” së prokurimeve publike të gjeneruar nga inteligjenca artificiale të Shqipërisë.
Bisha tha për BIRN se ka paditur Këshillin e Ministrave të Shqipërisë, kompaninë shtetërore Apel, Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe kryeministrin Edi Rama në Gjykatën Administrative në Tiranë, duke kërkuar pezullimin e “Diellës’ deri në një vendim gjyqësor përfundimtar.
“Ministrja” e quajtur “Diella” u prezantua nga kryeministri Edi Rama në shtator të vitit të kaluar për të trajtuar prokurimet publike. Rama tha se përdorimi i saj “do të reduktojë” korrupsionin, nepotizmin dhe konfliktet e interesit në proceset e prokurimit publik.
Ajo kishte ekzistuar më parë, me të njëjtin imazh dhe zë, si asistente digjitale në portalin shtetëror të shërbimeve elektronike e-Albania.
Bisha tha se ajo kishte një kontratë për përdorimin e imazhit të saj për asistenten digjitale, por jo për rolin e ri.
“Nuk kam asnjë lidhje me ‘Diellën’ si ministre dhe askush nuk më ka pyetur për këtë”, tha ajo.
“Ne kemi depozituar një padi… dhe po kërkojmë bllokimin e Diellës si ministre, pasi sipas kontratës që kam, kam nënshkruar vetëm për përdorimin e imazhit tim si asistente digjitale në e-Albania dhe jo si ministre”, shtoi ajo.
Bisha shtoi se, sipas kontratës që ajo disponon, institucionet shtetërore kanë detyrimin të mbrojnë të dhënat e saj personale, përfshirë imazhin dhe zërin e saj.
Agjencia për Media dhe Informim, e drejtuar nga qeveria, i hodhi poshtë pretendimet e saj si të pabazuara.
“Shqipëria është një vend i lirë dhe demokratik ku, si në çdo vend tjetër pa censurë, njerëzit janë të lirë të mendojnë dhe të veprojnë përmes rrugëve ligjore kundër qeverisë. Sipas këndvështrimit tonë kjo padi është pa kuptim, por ne e mirëpresim mundësinë për ta zgjidhur njëherë e përgjithmonë në një gjykatë”, tha për BIRN Manjola Hasa, drejtoreshë e përgjithshme e Agjencisë për Media dhe Informim.
“Ministrja” me AI ka tërhequr vëmendje nga media ndërkombëtare, por edhe kritika brenda Shqipërisë.
Deputetët e opozitës u zemëruan kur Diella mbajti një “fjalim” gjatë një seance parlamentare shtatorin e kaluar.
Në tetor 2025, Rama prezantoi gjithashtu Diellën në konferencën Berlin Global Dialogue në Gjermani.
“Misioni im është të transformoj vendimmarrjen nga ajo e bazuar në intuitë në të bazuar në prova, të fuqizuar nga të dhëna, algoritme dhe panele transparente. Çdo ministri do të ketë skuadra AI të trajnuara për të identifikuar joefikasitetet, për të automatizuar punët përsëritëse dhe për t’i bërë rezultatet të matshme në kohë reale”, “tha” Diella në aktivitetin në Berlin.
“Ajo është vajza ime dhe është shumë besnike ndaj babait të saj”, shtoi më pas Rama.