Nju Jork, 3 korrik 2025 – Raportuesja e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Franceska Albanese, u ka bërë thirrje dhjetëra kompanive shumëkombëshe që të ndalojnë së bëri biznes me Izraelin, duke ua tërhequr vërejtjen se rrezikojnë të bëhen bashkëfajtore për krimet e luftës në Gaza dhe në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, raporton BBC.
Albanese, duke paraqitur raportin e saj në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, e cilësoi biznesin e disa kompanive me Izraelin si “ekonomi gjenocidi”. Ajo tha se konflikti me Hamasin është bërë “terren testimi për llojet e reja të armëve dhe teknologjisë”.
Albanese ka përmendur kompanitë që sipas saj “po përfitojnë nga krimet e luftës në Gaza”. Në listën e saj janë përfshirë prodhuesi i armëve ‘Lokihid Martin’ dhe kompanitë ‘Alphabet’, ‘IBM’, ‘Microsoft’ dhe ‘Amazon’, të cilat ofrojnë teknologji që ia mundësojnë Izraelit të gjurmojë dhe të shënjestrojë palestinezët.
Në listë janë përfshirë edhe kompanitë ‘Caterpillar’, ‘Hyundai’ dhe ‘Volvo’, mjetet e të cilave po përdoren nga Izraeli për të shembur shtëpitë e palestinezëve dhe për të rrafshuar tokën pas bombardimeve.
Raporti i saj i përfshin edhe institucionet financiare që rrezikojnë të bëhen bashkëpërgjegjëse për krimet e luftës në Gaza dhe në Bregun Perëndimor. Sipas raportit, bankat ‘BNP Paribas’ dhe ‘Barclays’ kanë siguruar obligacionet e Qeverisë së Izraelit gjatë konfliktit në Gazë.
Sipas raportit, kompanitë e listuara bëjnë biznes fitimprurës me Izraelin, por edhe e ndihmojnë Izraelin të vazhdojë luftën. Zonja Albanese tha se të gjitha këto kompani duhet të ndërpresin menjëherë bashkëpunimin me Izraelin.
Izraeli e hodhi poshtë raportin e zonjës Albanese duke e cilësuar si “të pabazë” dhe si dokument që “do të përfundojë në koshin e plehrave të historisë”.
Vendet afrikane, aziatike dhe arabe e lavduan raportin e zonjës Albaneze dhe e mbështetën thirrjen e saj për tërheqjen e investimeve nga Izraeli. Shumë prej tyre u pajtuan se në Gaza po kryhej gjenocid ndaj palestinezëve, ndërsa disa prej tyre e paralajmëruan Izraelin që të mos i stigmatizonte juristët ndërkombëtarë si zonja Albanese, të cilët “thjesht po bëjnë punën e tyre”.
Vendet evropiane tradicionalisht mbështetëse të Izraelit e dënuan ndërprerjen e ndihmave humanitare për Gazën. Ato thanë se Izraeli, si fuqi pushtuese, ka përgjegjësi ligjore t’u sigurojë palestinezëve mjetet për mbijetesë.
Aleati më i madh i Izraelit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u larguan nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut i OKB-së në janar, kur e mori detyrën Presidenti Donald Trump. Megjithatë, Uashingtoni reagoi kundër raportit, duke e akuzuar zonjën Albanese se “po zhvillon fushatë të papranueshme kundër ekonomisë amerikane dhe asaj botërore”.
Ekspertët ose raportuesit specialë të OKB-së janë të pavarur, por emërohen nga OKB-ja për të ofruar këshilla për çështje të të drejtave të njeriut.
Francesca Albanese është eksperte e së drejtës ndërkombëtare nga Italia, e njohur për gjuhë të drejtpërdrejtë. Në raportet e mëparshme ajo ka thënë se Izraeli po kryen gjenocid në Gaza.
Izraeli e ka akuzuar vazhdimisht zonjën Albanese për qëndrim “armiqësor” ndaj tij dhe madje edhe e ka etiketuar si “antisemite”.
Izraeli e mohon gjenocidin, duke pretenduar se ka të drejtën e vetëmbrojtjes kundër Hamasit.
(r.m.)