“Albanians for America” e mirëpret kandidaturën e Sejdiut për President të Kosovës

Uashington, 31 gusht 2026 – Organizata “Albanians for America” e ka mirëpritur marrëveshjen ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për nominimin e Prof. Dr. Bekim Sejdiut për President të Republikës së Kosovës.

Në një deklarate publike, kjo organizatë e komunitetit shqiptaro-amerikan e ka vlerësuar profilin akademik e profesionale të Sejdiut si edhe angazhimin e tij për shtetndërtimin e Kosovës, vlerat demokratike dhe forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.

Nëpërmjet deklaratës, ajo u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës që procesin e zgjedhjes së President it të Kosovës “ta trajtojnë mbi bazën e interesit shtetëror dhe nevojës për institucione të qëndrueshme, demokratike dhe të besueshme”.

“Kosova ka nevojë për një President që bashkon, përfaqëson dhe mbron interesin e saj shtetëror, si dhe forcon partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara dhe orientimin euroatlantik të Republikës”, thuhet në deklaratë.

Bekim Sejdiu është përzgjedhur kandidat konsensual i LVV-së dhe LDK-së, pas një seri takimesh të kryetarëve të dy partive, Albin Kurtit e Lumir Abdixhikut, në të cilat është diskutuar për formimin e institucioneve kryesore kushtetuese dhe për shmangien e zgjedhjeve të tjera të parakohshme.

Bekim Sejdiu deklaroi se e ka pranuar kandidaturën për President të Kosovës duke pasur parasysh kontekstin aktual politik të Republikës së Kosovës.

“… dke qenë plotësisht i vetëdijshëm për barrën dhe përgjegjësinë që sjell posti i Presidentit, si edhe për kontekstin aktual politik të Republikës së Kosovës, jam vënë në shërbim të Republikës së Kosovës, të qytetarëve dhe të shtetit tonë…” ka thënë ai.

Deklarata e plotë e “Albanians for America”

Albanians for America mirëpret marrëveshjen ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për nominimin e Prof. Dr. Bekim Sejdiut për President të Republikës së Kosovës.

Prof. Dr. Bekim Sejdiu sjell një përvojë të gjerë akademike dhe profesionale, një karrierë të dalluar publike dhe një angazhim të dëshmuar ndaj shtetësisë së Kosovës, vlerave demokratike dhe forcimit të pozitës ndërkombëtare të vendit.

Albanians for America e mbështet nominimin e Prof. Dr. Bekim Sejdiut dhe u bën thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës që këtë proces ta trajtojnë mbi bazën e interesit shtetëror dhe nevojës për institucione të qëndrueshme, demokratike dhe të besueshme.

Kosova ka nevojë për një President që bashkon, përfaqëson dhe mbron interesin e saj shtetëror, si dhe forcon partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara dhe orientimin euroatlantik të Republikës.

Prandaj, u kërkojmë të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës që, pa humbur kohë, të përmbushin përgjegjësinë e tyre kushtetuese dhe të votojnë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.

May be an image of text that says 'ALBANIANS FOR ALBANIANSFORAMERICA AMERICA STATEMENT Agreement On Kosovo'sPresident Kosovo's President 31 AUGUST 2026 Advocating for Albanian-American MAdeingosolnnv Advoceting.orAlbanian-AmericanV -American Values www.albaniansforamerica.org'

(r.m.)