Albian Hajdari do të luajë për Kosovën

Prishtinë, 29 shtator 2025 – Një tjetër futbollist që vlerësohet lart nga njohësit e këtij sporti ka vendosur t’i bashkohet kombëtares së Kosovës.

Gazeta zviverane “Blick” ka shkruar të hënën se qendërmbrojtësi Albian Hajdari, i cili luan për ekipin e bundesligës gjermane Hoffendeiheim, ka vendosur të luajë për ekipin kombëtar të Kosovës.

Hajdari ka pranur se e ka menduar gjatë se cilën kombëtare ta përfaqësojë në nivelin ndëkombëtar dhe në fund ka zgjedhur me zemër ta përfaqësojë Kosovën.

“Ka qenë një proces i gjatë dhe shumë i menduar. Kam rrënjë të thella si në Zvicër, ashtu edhe në Kosovë, dhe jam mirënjohës për gjithçka që federata zvicerane ka bërë për mua që nga fëmijëria. Në të njëjtën kohë, historia e familjes sime dhe identiteti im janë të lidhura fort me Kosovën. Pas shumë bisedave me familjen, me këshilltarët dhe me të dy federatat, ndjeva se përfaqësimi i Kosovës është rruga që pasqyron më së miri zemrën dhe trashëgiminë time”, ka thënë ai, në një intervistë për Telegrafin.

Ai ka thënë se përfaqësimi i Kosovës në gara ndërkombëtare është diçka që i kapërcen kornizat e futbollit.

“Është një nder i madh. Historia e prindërve të mi dhe kultura me të cilën jam rritur e bëjnë këtë shumë emocionale për mua. Të përfaqësosh Kosovën në arenën ndërkombëtare është diçka që shkon përtej futbollit, është një mënyrë për t’ia kthyer nderin një vendi që është pjesë e asaj që unë jam”, ka thënë ai.

Hajdari deri më tani ka luajtur për Zvicrën, por vetëm në ndeshje miqësore. Kjo ia jep të drejtën e ndryshimit të përfaqësueses.

Ai i ka shprehur mirënjohje edhe Zvicrës, ku është formuar si futbollist dhe ka theksuar se vendimi që ta përfaqësojë Kosovën nuk është vendim kundër Zvicrës.

“Zvicra më ka dhënë edukimin futbollistik dhe çdo mundësi për t’u zhvilluar. Jam krenar që e kam veshur fanellën e Zvicrës dhe gjithmonë do të jem mirënjohës për atë periudhë. Ky vendim nuk është kundër Zvicrës; është thjesht për Kosovën”.

22-vjeçari ka thënë se synon që sa më shpejtë të integrohet në kombëtaren e Kosovës. Ai ka shfaqur shpresën se Kosova do të kualifikohet për fazën finale të kampionateve evropiane e botërore.

“Në afat të shkurtër, dua të përshtatem shpejt, ta ndihmoj skuadrën në ndeshjet e ardhshme dhe të tregoj cilësitë e mia. Në afat të gjatë, shpresoj të kualifikohemi në turne të mëdhenj dhe ta vendosim Kosovën si një forcë të qëndrueshme në futbollin evropian”, është shprehur ai.

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka thënë se Albian Hajdari është shumë I rëndësishëm për kombëtaren e Kosovës. Ai ka thënë se Hajdari do të jetë i gatshëm për ndeshjet e muajit tetor. 

“Jemi të lumtur që Albiani zgjodhi të paraqitet për Kosovën. Edhe Albiani është i lumtur për vendimin. Do të jetë shumë i rëndësishëm per Kosovën. Është lojtar me potencial të madh dhe do t’i shërbejë shumë Kosovës. Ai do të jetë gati per ndeshjet e tetorit. Uroj të jetë shëndosh e mirë”, ka thenë Ademi.

Në tetor Kosova i luan dy ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës 2026. Më 10 tetor, në Prishtinë do të luajë me Slloveninë, kurse më 13 tetor në Goteborg do të luajë me Suedinë.

Albian Hajdari është rritur te Baseli, te Juventusi dhe te Lugano. Këtë verë ai kaloi prej Luganos te Hoffenheimi, ku luajnë edhe dy lojtarë të kombëtares së Kosovës: Fisnik Asllani dhe Leon Avdullahu.

(r.m.)