Prishtinë, 9 maj 2026 – Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje e ka nominuar kryetarin e saj, Albin Kurti, kandidat për kryeministër të Kosovës në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit.
Vendimi për nominimin e tij është miratuar njëzëri nga të gjithë anëtarët gjatë mbledhjes së mbajtur të shtunën.
Kurti është propozuar formalisht nga Kryetarja e Forumit të Gruas të kësaj partie, Albulena Haxhiu, e cila ka thënë se Kurti nuk e ka parë kurrë postin e kryeministrit si privilegj apo rehati personale, por si përgjegjësi për t’u shërbyer qytetarëve.
“E propozoj se e njoh nga afër. E them me bindje të plotë se ai nuk e ka kuptuar pozitën e kryeministrit as si rehati e as si privilegj. Për të, pozita ka qenë për t’u ndihmuar qytetarëve. Për Albin Kurtin, shteti matet aty ku prek jetën e qytetarit. Përtej qeverisjes më të suksesshme, me te shteti nuk është strehë për të fortët e as strehë për plaçkë. Është i pashantazueshëm në politikë”, ka thënë ndër të tjera Haxhiu.
Pas miratimit të propozimit, Kurti ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje synon që në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 7 qershor t’i fitojë 60 për qind të votave.
“Nesër bëhen katër javë para zgjedhjeve të reja e të jashtëzakonshme, të cilat vijnë saktësisht pesë muaj pas zgjedhjeve të kaluara, kur ne shënuam 51% të votave. Ato erdhën 10 muaj pas zgjedhjeve ku fituam 42 për qind të votave. Pra, nga shkurti deri në dhjetor u rritëm për 9 për qind,dhe nëse rritemi po aq prej dhjetorit deri në qershor, atëherë mund të prekim edhe 60 për qind. Nëse punojmë ashtu siç dimë ne, me sinqeritet dhe përkushtim, edhe kjo është e mundur”, ka thënë ai.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare, më 28 dhjetor të vitit të kaluar, Lëvizja Vetëvendosje i fitoi mbi 51 për qind të votave. Bashkë me subjektet politike të komuniteteve joserbe, ajo e kishte një shumicë solide në Kuvend, i cili u shpërnda për shkak të mungesës së marrëveshjes për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Kurti ka thënë se pas zgjedhjeve, duke qenë se zgjedhja e presidentit nuk mund të bëhet pa një konsensus, do të kërkojë mbështetjen e subjekteve tjera për zgjedhjen e një presidenti jopartiak.
“Për një president të ri jashtë skenës politike me integritete e kompetencë, me vlera kombëtare dhe ata e dinë që kjo ofertë e jona është shprehje e hapjes tonë që është tipike për një subjekt demokratik”, ka thënë ai.
Kurti e ka fajësuar opozitën për krizën politike që e çoi vendin në zgjedhjet e treta parlamentare brenda një periudhe kaq të shkurtër.
“Opozita po e kërkon pushtetin duke bllokuar progresin. Kjo është të kërkosh të bëhesh kapiten anijes duke ia shpuar fundin asaj. Ata refuzuar kryetaren e parlamentit Albulena Haxhiun, refuzuan të votojnë për Glauk Konjufcën, njeriun e dytë më të votuar në historinë e Kosovë, kuptohet për mua refuzojnë gjithmonë, nuk duan të më shohin me sy e dalin në televizionet e tyre për të thënë se si unë u dashka të eliminohem me çdo mjet”, është shprehur ai, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje.
(r.m.)