Aleanca e mbështet nismën e PDK-së për plotësim-ndryshime të Ligjit për Gjykatën Speciale

Prishtinë, 21 shtator 2026 – Aleanca ka deklaruar se e mbështet nismën e PDK-së për plotësim-ndryshime të Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë.

Në një deklarate publike, kjo parti ka thënë se e mbështet çdo iniciativë ligjore dhe demokratike që synon vendosjen e drejtësisë në procesin gjyqësor ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovësn ë Hagë.

“Aleanca, duke mbetur konsistente me qëndrimin e saj institucional që nga fillimi, mbështet çdo iniciativë ligjore dhe demokratike që synon vendosjen e drejtësisë në procesin gjyqësor ndaj krerëve të UÇK-së në Hagë”, ka thënë kjo parti.

Aleanca ka përsëritur qëndrimin e saj se lufta çlirimtare e popullit të Kosovës e udhëhequr nga UÇK-ja ishte e drejtë dhe e pastër. Ajo ka shprehur bindjet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi do të shpallen të pafajshëm në fund të procesit gjyqësor kundër tyre dhe ka kërkuar që institucionet e Kosovës të bëjnë gjithçka që procesi kundër tyre të përfundojë me drejtësi të plotë.

“Duke besuar thellë se lufta e popullit të Kosovës për liri, e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ishte e drejtë, e pastër dhe e pashmangshme, qëndrojmë fuqishëm në bindjet tona dhe besojmë se në fund të këtij procesi, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, do të dalin të pafajshëm. Për ta arritur një gjë të tillë, Kosova dhe institucionet e saj duhet të bëjnë gjithçka që ky proces të përfundojë ashtu siç duhet, me drejtësi të plotë”, thuhet në deklaratë.

Aleanca e bëri këtë deklaratë pasi grupi parlamerntar i PDK-së e dorëzoi në Kuvend një projektligj për plotësime e ndryshime të Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, bëri të ditur se projekt-ligji nuk ka objektiv mbylljen e kësaj gjykatë apo pengimin e hetimit të rasteve për të cilat është krijuar ajo, por përcaktimin më të qartë të mandatit dhe kompetencave të kësaj gjykate.

“[Projektligji] nuk kërkon mbylljen e Dhomave të Specializuara. Nuk kërkon që akuzat që lidhen me pretendimet për të cilat u krijuan Dhomat e Specializuara të mos hetohen. Ato raste do të vazhdojnë të jenë pjesë e mandatit të tyre. Kjo nuk është nismë për pandëshkueshmëri. Është nismë për të paracaktuar se kush ka të drejtë të gjykojë çfarë”, tha Hamza.

Për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit për shqyrtimin e projektligjit për plotësim-ndryshime të Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës, nevojiten nënshkrimet e së paku 40 deputetëve. Hamza u bëri thirrje grupeve parlamentare të partive të tjera që ta mbështesin këtë projektligj.

(r.m.)