Alex Dhima, Aktori Më i Mirë në Campus MovieFest

Alex Dhima, një 11-vjeçar shqiptaro-amerikan, ka fituar Çmimin Aktori Më i Mirë, në Campus MovieFest (CMF).
Ai ka luajtur në filmin me metrazh të shkurtër “Wishbone”, në të cilin ka rolin e një djali i cili keqtrajtohet nga fëmijë të tjerë në shkollë. Kjo temë sociale e të përditshmes amerikane ka pasur shumë viktima fatale në jetën reale dhe filmi ndonëse i shkurtër nuk kursen asnjë emocion.
Filmi është prodhuar nga “Part Time Creative” dhe “Shanahan Films”, i shkruar dhe realizuar nga dy talentet e reja Mac Capen (që është edhe regjizor) dhe Michael Shanahan.
CFM u mbajt këtë vit në Bridgeëater State University. Nga 92 filma me metrazh të shkurtër, që u pranuan për konkurrim, vetëm 16 u zgjodhën për t’u shfaqur gjatë festivalit, një nga këto ishte Wishbone që fitoi edhe çmimin si Filmi më i Mirë.
Campus MovieFest (CMF) është festivali më i madh në botë i filmave të studentëve dhe ka si mision të zbulojë dhe prodhojë gjeneratën e re të kinematografëve amerikanë. Në 12 vitet e fundit, CMF është rritur duke tërhequr qindra mijëra vetë nga dhjetëra shkolla, institute e qendrash studimi të filmit dhe aktrimit.
Ndonëse më i vogël në moshë se çdo pjesëmarrës tjetër në festivalin e këtij viti, 11-vjeçari Alex Dhima arriti të fitojë çmimin e lakmuar, të Aktorit Më të Mirë, duke u shquar edhe vetë si një nga figurat e mundshme të gjeneratës së re të talenteve të industrisë shumëmiliardëshe të filmit amerikan.
Ndonëse ende i vogël, Alex ka luajtur në disa role si dhe është dëshmuar si pianist dhe kompozitor. Ai e ka pasur recitalin e tij të parë qysh në moshën 7 vjeç dhe së fundi ka zbuluar edhe pasionin e tij për aktrimin. “Illyria” ka shkruar më parë për pjesëmarrjen e tij të fundit në uebserialin eksperimental “Family Problems” (që mund të shihet nga kushdo në internet: http://www.webserieschannel.com/family-problems). Duke i gërshetuar të dy talentet, Alex Dhima sheh teatrin muzikor si një nga mundësitë e të ardhmes së tij. (Illyria)