Alexander Kasanof e merr detyrën e zëvendës-ndihmës sekretarit për Ballkanin Perëndimor, në vend të Gabriel Escobarit

Uashington, 22 korrik 2024 – Alexander “Sasha” Kasanof e ka marrë detyrën e zëvendësndihmës sekretarit për Ballkanin Perëndimor, ka njoftuar Departamenti amerikan i Shtetit.

Deri në maj të këtij viti këtë pozitë e ka mbajtur Gabriel Escobar.

Kasanof do të jetë edhe zëvendës ndihmës i sekretarit për Media dhe Diplomaci Publike në Byronë për Çështje Evropiane dhe Euroazi të DASH-it.

“Detyrat e Sashas në Uashington përfshijnë: Drejtor i Zyrës për Politika Globale dhe Programe në Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, zëvendësdrejtor i stafit të Sekretariatit ezekutiv, drejtor i Zyrës për çështje të Evropës Lindore dhe zëvendësdrejtor i Zyrës për çështje të Kaukazit dhe konflikteve rajonale”, thuhet në njoftimin e DASH-it.

Më parë, Kasanof ka shërbyer si asistent ekzekutiv i ish-nënsekretares shtetit për Çështje Politike, Victoria Nuland, dhe ushtruesit të detyrës së nënsekretarit për Çështje Politike, John Bass.

Ai ka shërbyer në Irlandë, Turkmenistan, Kili dhe Ukrainë.

Kasanof është nderuar me çmimin “James Clement Dunn” për punën e tij si Këshilltar Politik në Ambasadën e SHBA-së në Kiev, gjatë Revolucionit Maidan dhe pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Alexander “Sasha” Kasanof iI ka përfunduar studimet në Kolegjin Kombëtar të Luftës, në Shkollën për Studime të Avancuara Ndërkombëtare në Universitetin ‘Johns Hopkins’ dhe në Kolegjin Hamilton.

Ai i flet gjuhën frenge, italiane, ruse dhe spanjolle.

(r.m.)