Ali Ahmeti: Të hiqen kufijtë mes Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut

Shkup, 29 janar 2024 – Kryetari i Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, bëri thirrje publike të dielën që të hiqen kufijtë mes Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Ahmeti tha se këto tri shtete do të duhej të ndiqnin shembullin e vendeve të Bashkimit Evropian, të cilat kanë vetëm kufij administrative mes tyre.

“Unë jam ithtar shumë i fortë i Shteteve të Bashkuara dhe Evropës. T’i heqim kufijtë siç i kanë hequr Franca dhe Gjermania. Të hiqen kufijtë mes Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kosovës”, tha Ali Ahmeti në një debat televiziv.

Ahmeti theksoi se shqiptarët, kudo që jetojnë, duhet të jenë në koordinim të vazhdueshëm me SHBA-në dhe BE-në.

Kryetari i partisë më të madhe shqiptare në Maqedoninë e Veriut e ka cilësuar si arritje historike të shqiptarëve zgjedhjen e Talat Xhaferit p֝ër kryeministër të Qeverisë teknike të Maqedonisë së Veriut.

“Dikur në shtëpinë tonë na mohohej gjuha, arsimimi, punësimi nëpër institucione, na torturonte e shtypte pa ndalë sistemi i atëhershëm shtetëror, ndërsa sot po jetojmë barazinë si vlerë demokratike që e bënë këtë vend më të mirë dhe në prag të dyerve të Europës”, ka thënë ai në një postim në Facebook.

Aliu ka thënë se kjo është rezultat i Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2001.

“Marrëveshja e Ohrit ua dha tapinë shqiptarëve që të jenë dalzotës në shtëpinë e tyre. Nga viti 2001 e këndej kemi thyer një nga një të gjitha tabutë ideologjike, dëshmuam potencialin tonë si popull në drejtimin e shtetit tonë në çdo pozitë institucionale dhe u treguam vendimtarë në ruajtjen e orientimit euro-atlantik të vendit”, ka theksuar ai.

(r.m.)