Prishtinë, 14 nëntor 2024 – Agim Aliçkaj, anëtar i Bordit të Lidhjes shqiptaro-amerikane, është i sigurt se gjërat do të shkojnë mirë për shqiptarët dhe Kosovën me administratën e re të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai ka thënë që në mandatin 4-vjeçar të presidencës së Donald Trumpit mund të pritet “ndoshta inkuadrimi në NATO dhe njohja nga 5 shtetet”.
Aliçkaj e ka quajtur lajm të mirë nominimin e Marco Rubios për sekretar të shtetit, pasi ka theksuar se ai e njeh mirë Kosovën.
“Ky është lajm i jashtëzakonshëm për dy arsye, një sepse Rubio është senator me përvojë të gjatë dhe është i njoftuar për gjenocidin në Kosovë, arsyen e bombardimeve të Serbisë, i di të gjitha proceset dhe është shumë i informuar. Deri tash ai gjithmonë ka qenë në anën tonë dhe presim, sigurisht se do ta ndjekë politikën e Trumpit, por megjithatë e ka vendin e vet sepse jep këshilla dhe mendimi i tij do të çojë peshë”, u shpreh ai në “Interaktiv”.
Aliçkaj ka potencuar se Rubio është garancë për “paanshmërinë e SHBA-së ndaj Kosovës”.
“Marko Rubio sekretar shteti është një garancë për së paku një paanshmëri të SHBA-së, besoj se do ta kemi në anën tonë”.
E, mosnominimin e Richard Grenellit, siç është përfolur, ai e ka quajtur lajm të gëzueshëm.
“Grenelli është treguar jodiplomat dhe është renditë plotësisht në anën e Serbisë”, ka thënë ai.