Altin Dumani zgjidhet në krye të Prokurorisë së Posaçme të Shqipërisë

Tiranë, 16 dhjetor 2022 – Në Shqipëri, Altin Dumani, u zgjodh sot në postin e drejtuesit të ri të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për tre vitet e ardhshme. Dumani ishte një ndër tre kandidaturat në garë, së bashku me dy prokurorët e tjetër Edvin Kondili, dhe Adnan Xholi. Përpara se Këshilli i Lartë i Prokurorisë të shprehej me votë, kandidatët paraqitën platformat e tyre dhe iu përgjigjën pyetjeve të ndryshme.

Këshilli i Lartë i prokurorisë përbëhet nga 11 anëtarë, por në votim nuk mori pjesë njëri prej tyre. Dumani arriti të siguronte mbështetjen e 5 anëtarëve të KLP-së, përkundrejt 4 votave që shkuan në favor të kandidatit Kondili. Vetëm një votë ishte për prokurorin Xholi.

Procesi i përzgjedhjes së drejtuesit të ri të Prokurorisë së Posaçme, tërhoqi një vëmendje të veçantë pas shqetësimeve të përsëritura e të shprehura publikisht nga ambasadorja amerikane Yuri Kim, rreth përpjekjeve për ndërhyrje të mundshme.

Ambasadorja Kim u shfaq edhe sot në mjediset e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ndërsa anëtarët e tij po dëgjonin kandidatin e fundit në garë, prokurorin Kondili. Ajo hyri në sallën ku po mbahej seanca publike, duke e ndjekur nga afër procesin. Ambasadorja amerikane, përsëriti dhe një herë se “baza e vendimit të anëtarëve të KLP-së, duhet të jetë objektiviteti, një ekzaminim i kritereve dhe kualifikimeve të kandidatëve. Nuk duhet të bazohet te kërcënimet apo premtime për favore. Kjo do të thyente integritetin e atij procesi zgjedhjeje”, deklaroi ajo para pak votimit, duke nënvizuar se edhe “për personin që do të përzgjidhet në kreut të këtij institucioni, duhet ta kuptojë se është përzgjedhur në bazë të kritereve, jo në bazë të premtimeve për favore apo kërcënimeve, në mënyrë që ai të mos i detyrohet kujt”.

Pas përmbylljes së procesit, ambasada u shpreh e kënaqur me zgjedhjen e prokurorit Dumani, si drejtuesi i ardhshëm, duke vënë megjithatë në dukje se të tre kandidatët “janë shumë të kualifikuar dhe meritojnë respekt të plotë në përpjekjet e tyre”. Në deklaratën e shpërndarë, ambasada shkruan se “presim me kënaqësi të mbështesim zotin Dumani dhe SPAK-un ndërsa ata vazhdojnë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Puna e SPAK-ut duhet të vazhdojë të demonstrojë që askush nuk është mbi ligjin. Koha e pandëshkueshmërisë ka marrë fund”.

Duke përshëndetur Këshillin e Lartë të Prokurorisë “për një proces përzgjedhës i cili pati qëllim të siguronte integritetin e procesit”, ambasada nënvizoi dhe një herë se “është thelbësore për institucionet e drejtësisë që të veprojnë me integritet, pa frikë apo favore”.

(Zëri i Amerikës)