Prishtinë, 23 prill 2026 – Valjet Rexhepi, e publikoi të enjten letrën që gjyshi i tij, akademik Rexhep Qosja, ia kishte lënë si amanet për të gjallë të tij, shkruar më 30 prill 2016.
2016.
Në letër, Qosja lë amanet që varrimi i tij të bëhet vetëm nga familjarët e tij, pa ritual fetar.
“Meqenëse kam jetuar duke besuar në mendimin shkencor, në ngritjen shpirtërore e në përparimin shoqëror, që e bën të mundshëm ai, dua të jem i varrosur pa ritual fetar”, ka shkruar Qosja në letrën drejtuar nippit të tij, Valjetit.
Ai ka lënë amanet që varrimi i tij të bëhet edhe pa ceremoni zyrtare dhe pa fjalime, pa medie dhe pa lule.
“Meqenëse kam jetuar dhe kam menduar, në pjesën më të madhe të kohës, duke shprehur pikëpamje kritike ndaj sundimtarëve e pushteteve të tyre, dua të jem i varrosur pa kurrfarë pranie zyrtare”, ka shkruar ai.
Qosja ka shkruar se beson se me krijimtarine dhe veprimtarinë e tij, nuk u ka mbetur borxh as Shqipërisë dhe as Kosovës.
“Meqenëse jetën, krijimtarinë mendore dhe veprimtarinë politike ia kam kushtuar lirisë, bashkimit dhe mirëqenies demokratike të popullit shqiptar mund të them se as Shqipërisë shtetërore e as Kosovës, të sotmes e ardhmërisë së tyre, nuk u kam mbetur borxh”, ka shkruar ai.
Qosja ka thënë se nuk mund të thoshte se mospajtimet e tij, siç është shprehur, “ishin gjithnjë të liruara prej disa gjykimeve e vlerësimeve më të ashpra se ç’do të duhej”, por ka shprehur bindjen se ka jetuar, krijuar e vepruar duke bërë mirë.
“Megjithatë, varrosjen e pres i bindur se kam jetuar, krijuar e vepruar duke bërë mirë, duke predikuar të mirën e duke përhapur njerëzillëkun”, ka shkruar ai.
“Këto mendime i shkrova duke qenë i vetëdijshëm dhe mendjeqartë”, ka shkruar Qosja në letrë n e amanetit drejtuar nipity të tij, Vljetit.
Akademik Rexhep Qosja vdiq të enjten, në moshën 89 vjeçare. Sipas amanetit të tij, ai u varros nga familjarët e tij, pa kurrfarë ceremonie, në varrezat e qytetit në Prishtinë.
LETRA E PLOTË
NIPIT TIM VALJETIT
I CILI U KUJDES PËR JETËN TIME DHE PREJ TË CILIT
KËRKOJ TË KUJDESET DHE PËR VARROSJEN TIME
Meqenëse kam jetuar duke besuar në mendimin shkencor, në ngritjen shpirtërore e në përparimin shoqëror, që e bën të mundshëm ai, dua të jam i varrosur pa ritual fetar.
Meqenëse kam jetuar dhe kam menduar, në pjesën më të madhe të kohës, duke shprehur pikëpamje kritike ndaj sundimtarëve pushteteve të tyre, dua të jam i varrosur pa kurrfarë prania zyrtare.
Varrimin tim dua ta bëjnë vetëm familjarët e mi.
Meqenëse jam kujdesur të jetoj thjesht, ashtu thjesht dua të jam edhe i varrosur: pa fjalime, pa media, pa lule, afër varrit të gruas sime Shpresës.
Vdes i qetë.
Meqenëse jetën, krijimtarinë mendore dhe veprimtarinë politike ia kam kushtuar lirisë, bashkimit dhe mirëqenies demokratike të popullit shqiptar mund të them se as Shqipërisë shtetërore e as Kosovës, të sotmes e ardhmërisë së tyre, nuk u kam mbetur borxh. Në qoftë se Kosova më ka mbetur borxh mua – këtë do të mund ta thonë historianët e ardhshëm të letërsisë, të kulturës e të mendimit politik shqiptar.
Nuk mendoj se vdes pa asnjë mëkat.
Meqenëse jam rritur, kam jetuar e kam punuar në kushte politike e shoqërore, që edhe pas çlirimit të Kosovës e të krijimit të shtetit të saj, ishin shumë të vrazhda, nuk mund të them se mospajtimet e mia të shprehura ishin gjithnjë të liruara prej disa gjykimeve e vlerësimeve më të ashpra se s’do të duhej. Megjithatë varrosjen e pres i bindur se kam jetuar, krijuar e vepruar duke bërë mirë, duke predikuar të mirën e duke përhapur njerëzillëkun.
Prishtinë, 30.4.2016 Këto mendime i shkrova duke qenë
i vetëdijshëm dhe mendjeqartë
Gjyshi yt, Valjet
Rexhep QOSJA


(r.m.)