Ambasada amerikane e përgëzon nëntogeren Vesa Ibrahimi për përfundimin me sukses të U.S. Army Ranger School

Prishtinë, 15 korrik 2025 – Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë e ka përgëzuar nëntogeren e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Vesa Ibrahimi, për përfundimin me sukses trajnimin në Shkollën Ranger të Ushtrisë së SHBA-së (U.S. Army Ranger School).

Ambasada, në një postim në rrjetet sociale, e ka shpërndarë fotografinë e Vesa Ibrahimit, duke e cilësuar si moment krenarie përfundimin me sukses të këtij programi, i cili cilësohet si njëri nga programet më të ashpra dhe më prestigjioze të trajnimeve ushtarake në botë.

Vesa Ibrahimi është pjesëtarja e tretë e FSK-së që e ka përfunduar këtë program trajnimi.

“Urime Togere Vesa Ibrahimit, e cila u bë pjesëtarja e tretë i FSK-së që e përfundoi njërin nga programet më të vështira të trajnimit ushtarak në botë – Shkollën e Rengerëve të Ushtrisë Amerikane! Nga udhëheqja e operacioneve komplekse nën stres ekstrem e deri te lëvizja në terrene të thyera me mbështetje minimale, arritja e Togeres Ibrahimi e pasqyron vendosmërinë, qëndrueshmërinë dhe lidershipin e jashtëzakonshëm që garanton sigurinë e vendeve tona. 🇽🇰 Një moment krenarie!”, thuhet në postimin e ambasadës amerikane në Prishtinë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një mesazh urimi në fund të qershorit, ka thënë se Nëntogere Vesa Ibrahimi është gruaja e parë nga jashtë Amerikës që ka diplomuar ndonjëherë në U.S. Army Ranger School.

“Nëntogere Vesa Ibrahimi, oficere e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka hyrë në histori si gruaja e parë nga jashtë Amerikës që ka diplomuar ndonjëherë në Ranger School, një nga trajnimet më sfiduese dhe prestigjioze të Ushtrisë Amerikane.

 Kjo arritje e jashtëzakonshme është fitore për Forcën e Sigurisë së Kosovës, për shtetin tonë, si dhe për çdo vajzë që ëndërron t’i prijë rrugës së shërbimit ndaj atdheut.

Urime, Nëntogere Ibrahimi! Kosova është krenare me ty dhe me të gjitha vajzat dhe djemtë tanë në uniformë!”, ka shkruar Presidentja Osmani.

(r.m.)